Aktualitet

Moti i keq, rëndohet situata në shumë zona të vendit

Rënia pa ndërprerje e rreshjeve të dëborës ka rënduar situatën në shumë zona të vendit, nga veriu në jug. Sipas informacioneve më të fundit nga terreni, sot është thuajse e pamundur të dilet nga qyteti i Bulqizës, ku trashësia e borës arrin deri në 50 cm. Rruga kombëtare Bulqizë-Peshkopi kalohet me shumë vështirësi e herë pas here bllokohet.

Sa i përket Juglindjes, në Qarkun e Korçës bora ka arritur 1 m në disa zona. Akset Korçë-Dardhë, Korçë-Ersekë, Pustec-Goricë kalohen me shumë vështirësi me zinxhirë. Të shumta janë rrugët e fshatrave që nuk mund të përshkohen as me zinxhirë nga automjetet. Nga mbrëmë, Vithkuqi, Lekasi, Moglica, Panariti, Podgoria, Vreshtasi, Sheqerasi, Shëngjergji e Dardha janë pa energji.

Në Gjirokastër nuk ka patur rreshje bore gjatë natës dhe situata rezulton disi më e mirë vetëm për akset kombëtare. Rruga drejt Kakavijës është e kalueshme. Ndërkaq, në rajonin jugor mbeten të bllokuara të gjitha njësitë administrative mbi 400 m. Po ashtu, qarkullimi në pjesën e sipërme të qytetit të Gjirokastrës nuk është i mundur.