Aktualitet

Moti me reshje, Mbrojtja Civile: Situata më problematike në Shkodër!

Reshjet e shiut, që në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet të lartë kanë shkaktuar bllokim të disa akseve rrugore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se pavarësisht reshjeve, situata është pa problematika serioze sa i përket infrastrukturës kombëtare.

Në aksin Prekal-Kir, strukturat po punojnë për hapjen e rrugës.

Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.

Si pasojë e motit të keq, disa zona janë pa energji për shkak të defekteve në rrjet. Rajone të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin, po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara.

Punonjësit e OSSH janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji në këto zona.

Situata po ndiqet me vëmendje nga strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror.

AKMC është në kontakt me të gjitha prefekturat dhe bashkitë, për të koordinuar punën në çdo rast nevoje.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot të vranët dhe reshje shiu, të bëra prezente që prej orëve të mesnatës me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar, fillimisht në veri të territorit.

Gradualisht, reshjet shpërndahen në të gjithë territorin në formën e rrebesheve të shpejta e me shkarkesa elektrike, si dhe lokalisht breshër ndërsa nga orët e mesditës e deri pasdite, reshjet parashikohen me intensitet mesatar deri të lartë, kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Peshkopi, Durrës, Tiranë, Elbasan e pjesërisht qarku i Vlorës.

Mjegull e dendur lokale dhe mjegullina janë prezente në orët e para të mëngjesit e të mbrëmjes, si dhe në momentin e reshjeve të shiut. Era fryn intensive me drejtim nga kuadrati i jugut e me shpejtësi mesatare 3-12 m/s ndërsa hera-herës në bregdet, fiton shpejtësi 14-24 m/s. Valëzimi në dete është i lartë, i forcës 3-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

në zonat malore 7 deri 15°C;

në zonat e ulëta 11 deri 19°C;

në zonat bregdetare 13 deri 19°C