Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, situata në Novoselë po rëndohet, duke sjellë rrezik për banorët e zonës dhe pronat.
Përmes një njoftimi, Bashkia e Vlorës thotë se janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhen në gatishmëri të plotë për të asistuar banorët, si në rast nevoje për evakuim, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive.
Bashkia u bën thirrje banorëve të zbarojnë udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës.
Rreth 200 hektarë tokë bujqësore është përmbytur në Kashisht, Adë, Kafaraj, Çerven dhe Ferras të Fierit.
Prezencë të lartë të ujit ka në 27 banesa në Ferras-Çerven, që ndodhen brenda argjinaturës.
Ndërkaq, prezencë të ujit ka edhe në Stacionin e Pompimit të Kafaraj, nga ku bëhet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Kjo për shkak të prurjeve të lumit Vjosë.
Të dhënat nga pikëmatja në urën e Memaliajt, tregojnë përkeqësim të gjendjes.
Në lagjen ”Sede” të Përmetit për shkak të shirave të dendur dhe inerteve u përmbytën 4 banesa, nga të cilat 3 familje u sistemuan nga bashkia në një konvikt dhe një tjetër, te të afërmit.