Me vetëm pesë ditë që e ndajnë nga nisja për turneun në Azi dhe Australi, Milani ende nuk ka arritur të plotësojë njërën nga boshllëqet më të mëdha të merkatos, mungesën e mbrojtësve të krahut. Teksa drejtuesit Furlani dhe Tare vazhdojnë bisedimet për të sjellë të paktën një mbrojtës para udhëtimit, trajneri Masimiliano Alegri nuk rri duarkryq.
Tekniku toskan ka nisur të përgatitet për miqësoret sfiduese ndaj Arsenalit në Singapor dhe Liverpulit në Hong Kong duke eksperimentuar me alternativa të brendshme për krahët e mbrojtjes.
SALEMAKERS- Në mungesë të alternativave, Alegri ka vendosur të ulë disa metra më poshtë Aleksis Salemakers, i cili sapo është rikthyer nga huazimi te Roma. Pavarësisht interesimit të verdhekuqve për ta përfshirë në një shkëmbim lojtarësh, trajneri kuqezi ka kërkuar mbajtjen e belgut në skuadër. Sezoni i fundit ka qenë më i miri i tij në aspektin statistikor me 7 gola dhe 7 asistime. Përveç kësaj, është ndër lojtarët që mbulojnë më shumë kilometra për ndeshje. Këto cilësi e bëjnë atë një kandidat ideal për të mbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes, por edhe të majtin në raste nevoje. Një “xhol” i vërtetë në shërbim të skuadrës.
LEXO EDHE: Bajerni përballet me boshllëkun që krijon dëmitimi i Musiala
POBEGA- Në të majtë, ndërsa Aleks Jimenez shihet si alternativë për të djathtën, Alegri ka hedhur sytë drejt Tomazo Pobegas. Edhe pse mesfushor, ai ka luajtur si mbrojtës i majtë gjatë një miqësoreje ndaj Arsenalit në turneun në Dubai gjatë pauzës së Botërorit 2022. Atëherë, në një sistem me katër mbrojtës, Pobega bëri një paraqitje solide. Megjithatë, e ardhmja e tij është ende e pasigurt, pasi Bolonja është në pritje për ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje për 7 milionë euro. Deri atëherë, ai mbetet pjesë e Milanit dhe do të jetë i rëndësishëm për ndeshjet e turneut.