Bajerni i Mynihut nuk ka publikuar akoma një diagnozë të saktë për dëmtimin e Jamal Musialës. Por, nga të gjitha deklaratat është e qartë se ylli i ri do të mungojë për një kohë të gjatë. “Nuk dukej fare mirë. Ne do jemi në muajt në vijim si një familje pranë tij në këtë rrugëtim që nuk do të jetë i lehtë”, komentoi situatën drejtori sportiv Maks Eberl. “Jamal jeton për futbollin. Ai lufton gjithmonë për t’u kthyer dhe pastaj ndodh kjo”, u shpreh edhe Vinsent Kompani i trishtuar.
Trajneri i Bajernit duhet tani të përballet me sfidën e zëvëndësimit të Musialës për një kohë të gjatë. Në fundin e sezonit Musiala ishte jashtë fushës, por Kompani e kishte në dispozicion legjendën e Bajernit Tomas Myler si rezervë direkte. Megjithatë, kontrata e tij nuk do të zgjatet, pasi ai ka luajtur ndeshjen e tij të fundit ndaj Parisit për Bajernin. Në skuadër ka disa lojtarë, si: Rafael Guerreiro, Majkëll Olise dhe Serxh Gnabri, që në të kaluarën kanë marrë rolin qendror të Musialës.
Por, me dëmtimin afatgjatë të Alfonso Dejvis, portugezi pritet të luajë si mbrojtës i majtë dhe pas largimit të Leroj Sane, situata në krahë është e varfër. Kjo u hap rrugë shumë të rinjve gjatë fazës përgatitore. Me Paul Vaner 19 vjeç, Lovro Zvonarek 20 vjeç dhe Lenart Karl 17 vjeç, Bajerni ka gjithashtu disa talente nga akademia që do jenë të motivuar të tregojnë veten në fillimin e përgatitjeve tri javë pas Kupës së Botës.
Mund të ndodhë që një prej tyre të shkruajë një histori suksesi, si Aleksandër Pavloviç në sezonin 2023-24, kur, nga një lojtar i U-23, u kthye për shkak të problemeve me stafin në një kandidat për formacionin titullar dhe tani është pjesë e kombëtares gjermane. Por edhe përtej dëmtimit të Musialës, Bajerni është në mungesë lojtarësh ofensivë. Pas kalimit të Sane në Turqi, skadimit të kontratës së Myler dhe largimit të Matis Tel në dimër, Bajerni ka aktualisht vetëm Tom Bishof si afrimin e ri ofensiv. Edhe ai zakonisht luan në mesfushë. Bajerni mund të fokusohet në merkato në lojtarë që mund të luajnë përkohësisht në pozitën e Musialës dhe më pas, me kthimin e tij, të kalojnë në role të ndryshme. Kompani, Eberl dhe pjesa tjetër e klubit kanë shumë për të menduar.