Showbiz

Murali në nder të Lamine Yamal vandalizohet pas festës së tij të ditëlindjes që shkaktoi trazira?

Vetëm dy ditë pasi artisti i njohur i grafiteve TVBoy krijoi një mural për të nderuar talentin e ri të futbollit, Lamine Yamal, vepra është vandalizuar nga persona të panjohur. Murali e paraqiste sulmuesin spanjoll të veshur si Supermen, por në vend të shkronjës “S” në kostum, ishte vendosur shkronja “L”, si simbol i emrit të tij.

Piktura u realizua në qytetin e Mataró-s, vendlindja e Yamalit, dhe kishte për qëllim të përçonte një mesazh përpjekjeje, force dhe arritjeje – duke reflektuar rrugëtimin e vështirë të një të riu drejt majës së futbollit europian.

Megjithatë, festa e ditëlindjes së 18-të të organizuar së fundmi nga Yamal ka ngjallur polemika, duke u cilësuar si provokuese dhe e papërshtatshme.

Në festë thuhet se janë përdorur persona me xhuxhizëm për qëllime argëtimi, një veprim që është dënuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe ka shkaktuar zemërim publik.

Sipas të përditshmes “Marca”, autorët e dëmtimit të muralit ende nuk janë identifikuar, por akti ka nxitur reagime të shumta nga komuniteti lokal dhe përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët ndajnë mendime të ndryshme rreth asaj që ndodhi.