Bota

Nafta mbi 100 dollarë për fuçi/G7-a diskuton hedhjen në treg të rezervave strategjike!

Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi, duke u rritur me mbi 25% brenda pak ditësh, ndërsa tregjet globale reagojnë ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe frikës për ndërprerje të furnizimit. Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, kjo është rritja më e fortë e çmimeve që nga kriza energjetike e vitit 2022.

Nafta e referencës globale Brent crude oil është rritur në mbi 108-116 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate ka kaluar 105 dollarë, pasi tensionet në rajonin e Gjirit kanë rritur rrezikun për furnizimin global.

Tregjet janë veçanërisht të ndjeshme për shkak të situatës rreth Gjirit të Hormuzit, korridor detar nga i cili kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë. Çdo ndërprerje e trafikut të cisternave në këtë zonë mund të reduktojë ndjeshëm ofertën në tregjet globale.

Ndërkohë, vendet e G7-ës po shqyrtojnë një hedhje të koordinuar në treg të rezervave strategjike të naftës, në bashkëpunim me International Energy Agency, për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të stabilizuar tregun. Sipas raportimeve, disa shtete anëtare kanë mbështetur një skenar për lirimin e 300 deri në 400 milion fuçive naftë nga rezervat emergjente nëse situata përkeqësohet.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, tha se:

Aktualisht, të gjitha opsionet janë në tryezë, por për momentin nuk ka një vendim për një ndërhyrje kolektive, duke theksuar se tregu global i naftës ende ka furnizime të mjaftueshme.

Analistët paralajmërojnë se nëse konflikti në rajonin e Gjirit vazhdon e transporti i naftës mbetet i kufizuar, çmimet mund të qëndrojnë mbi 100 dollarë për fuçi për një periudhë të zgjatur, duke rritur presionin inflacionist mbi ekonominë globale./Monitor