Bota

Sulmet ndaj anijeve rrezikojnë furnizimin global me naftë!

Pamjet e filmuara me telefon që tregojnë flakë të mëdha dhe tym të dendur të zi që ngrihet nga një anije në Ngushticën e Hormuzit, rrisin shqetësimet se konflikti mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit mund të ndërpresë furnizimin global me naftë.

Hormuzi është rrugë jetike tregtare për transportin global të naftës e gazit të lëngshëm natyror.

Anija “Skylight”, cisternë nafte dhe kimikatesh me peshë prej 7 mijë e 600 tonësh ndodhej në veri të portit Khasab në Oman, pranë pikës më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, ku korridori i lundrimit është vetëm 3 kilometra i gjerë.

Ishte një nga tri anijet civile që raportohet se u qëlluan dje, ndërsa edhe Komanda Qendrore e SHBA-ve tha se goditi një anije luftarake të marinës iraniane aty pranë.

Mes kësaj situate të tensionuar, një analizë e agjencisë së lajmeve, Reuters, bazuar në të dhënat e ueb-faqes MarineTraffic, tregon se të paktën 150 anije – përfshirë shumë cisterna nafte dhe gazi kanë ndalur lundrimin.

Po ashtu, kishte raportime kontradiktore për mbylljen ose jo të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

Pa panik… për momentin

Ngushtica ende është e hapur. Por, arsyeja pse anijet nuk po kalojnë dhe pse shumë kompani ndërkombëtare të naftës po këshillojnë të mos përdoret [Ngushtica], është siguria, tha Amena Bakr, drejtuese e kërkimeve për Lindjen e Mesme dhe OPEC+ në kompaninë e inteligjencës tregtare Kpler.

Kostot e sigurimit janë aq të larta, sa shumë anije nuk mund t’i përballojnë ose nuk duan të rrezikojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Paniku i vërtetë në treg do të fillojë vetëm nëse konfirmohet se Ngushtica është mbyllur dhe nafta nuk qarkullon më.

Për momentin, kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, çmimi i naftës Brent, që është standard global, dje u rrit deri në 10% dhe analistët presin rritje të mëtejshme.

Ajay Parmar, drejtore për Energjinë në Institutin ICIS, tha për agjencinë Reuters se çmimi mund të arrijë afro 100 dollarë për fuçi, ose edhe më shumë, nëse bllokimi i Ngushticës zgjat.

Kjo luftë mund të ketë ndikim më të madh në çmimet globale të naftës, se konflikti 12-ditor me Iranin në qershor 2025.

Gjatë atij konflikti, çmimet u rritën në 80 dollarë dhe më pas ranë, sepse situata ishte më e parashikueshme.

Duke folur nga Dubai, për të cilin Bakr tha se ishte në një gjendje tmerri nga sulmet “e pashembullta” iraniane, shtoi:

Jemi në një situatë krejt tjetër. Pres që çmimet e naftës të jenë midis 85 dhe 90 dollarëve.

Çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë tronditje më të gjera ekonomike, duke nxitur inflacion e presione të forta politike në shumë vende. Në fakt, ka shumë mënyra si konflikti me Iranin mund të shkaktojë rritje të çmimeve.

Nafta e Iranit është nën sanksione të ashpra, por ky vend ende i shet shumë naftë Kinës, për shembull. Nëse këto furnizime ndërpriten, për shkak të një lufte të zgjatur, Kina duhet t’i kërkojë diku tjetër.

Ndërkohë, sulmet iraniane me dronë e raketa raportohet se kanë detyruar edhe shumë fusha të naftës në Irak të ndalin prodhimin, si masë paraprake.

Nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet, eksportet e naftës nga Kuvajti dhe shtetet e tjera në Gjirin Persik ndikohen gjithashtu.

Rrugë alternative eksporti ekzistojnë, duke përdorur tubacione nëpër shkretëtirën e Arabisë Saudite, por kapaciteti i tyre është i kufizuar.

Vendet prodhuese të naftës OPEC+ u takuan dje, për të rënë dakord për të rritur prodhimin në 206 mijë fuçi në ditë, për të kompensuar rreziqet e mundshme nga rritja e çmimeve.

Grupi përbëhet nga tetë vende: Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria e Omani.

Vendet do të vazhdojnë të monitorojnë dhe vlerësojnë nga afër kushtet e tregut. Ne riafirmuam rëndësinë e miratimit të një qasjeje të kujdesshme, thanë përfaqësuesit e tyre përmes një deklarate.

Aty nuk u përmend konflikti me Iranin. Por, një deklaratë e veçantë nga Ministria e Jashtme e Rusisë e përmendi, duke paralajmëruar se ndalesa e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit “mund të krijojë një çekuilibër të konsiderueshëm në tregjet globale të naftës dhe gazit”.

Por, në të vërtetë, është një çekuilibër nga i cili Rusia mund të përfitojë.

Çmimet e ulëta globale të naftës dhe sanksionet e rënda mbi naftën ruse, përfshirë një kufizim çmimesh i vendosur nga grupi i vendeve më të industrializuara, G7 e kanë goditur rëndë Rusinë.

Një raport nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), në shkurt, nxori në pah se të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës bruto, kanë rënë me 18% gjatë vitit të kaluar.

Një nga blerësit kryesorë të Rusisë është Kina. Zvogëlimi i furnizimeve globale me naftë mund të nënkuptojë rritje të porosive nga Kina, për të kompensuar mungesën nga Irani ose të tjerë furnizues të Gjirit Persik.