Aktualitet

Nafta për fermerët/Deri në fund të gushtit, subvencioni arriti 3.9 milion euro!

Deri në fund të gushtit, qeveria shpërndau te fermerët 390 milion lekë apo rreth 3.9 milion euro si pjesë e skemës së saj të mbështetjes me naftë që tashmë po aplikon prej disa vitesh. Të dhënat e raportuara në Raportin e Monitorimit të Buxhetit për periudhën janar-gusht, tregojnë se numri i përfituesve ishte thuajse sa gjysma e kërkesave reale për të përfituar nga kjo masë.

Përgjatë vitit 2024 janë realizuar me një kosto faktike prej 129.9 milionë lekë këto produkte që synojnë përmbushjen e qëllimit kryesor: Miratimi i bazës ligjore për masat mbështetëse, të Programit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 (VKM dhe Udhëzimi), si dhe urdhri për alokimin e fondeve sipas masave, bazuar në kërkesën e AZHBR-së.

Në këtë mënyrë janë krijuar kushtet për të aplikuar rreth 15,597 aplikantë në skemat kombëtare, si dhe 54,255 në mbështetjen me naftë për bujqësinë; Ka filluar disbursimi për 4,273 përfitues të skemës kombëtare me një kosto faktike prej 661.6 milionë lekë dhe 23,190 përfitues për subvencionimin e naftës me një kosto faktike prej 390 milionë lekë, thuhet në raportin e monitorimit dhe të komenteve të publikuar në Mistrinë e Financave.

I njëjti dokument vlerëson se në 8 muaj është realizuar degustimi i rreth 48 mostrave të duhanit e 131 purove me një kosto faktike prej 17.8 milion lekësh, si dhe janë promovuar bizneset e produktet shqiptare në pesë aktivitete ndërkombëtare dhe dy kombëtare me një kosto faktike në vlerë 3.7 milion lekë.

Në vitin 2021, për herë të parë u zbatua skema e mbështetjes me naftë falas për fermerët e që vijoi zbatimin edhe në vitin 2022 duke përfshirë për herë të parë rimbursimin e akcizës e të taksës të qarkullimit për fermerët që kultivojnë dru frutorë, arrorë e perime.

E njëjta praktikë u ndoq edhe gjatë vitit të kaluar teksa më 2024-ën, skema ndryshoi. Kjo e fundit kaloi nga tërheqja fizike e sasisë së naftës pas plotësimit të kushteve, te marrja e subvencionit në para, sipas rasteve. Për këtë vit, subvencionet sa i takon mbështetjes së bujqësisë janë parashikuar në një vlerë rreth 12 milion euro e deri në fund të gushtit, rezulton e shpërndarë më pak se 1/3-ta e saj./Monitor