Nga Policia e Vlorës ende nuk ka një deklaratë lidhur me ndalimin e Fredi Belerit, kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, i dyshuar për blerje të votave. Dihet vetëm se ndalimi u bë rreth mesnate, në mjediset e jashtme të një lokali në pronësi të tij po në Himarë. Me të u ndaluan dhe tre persona, anëtarë të shtabit zgjedhor të Belerit.
Pas ndalimit të Belerit, president i shoqatës OMONIA, organizatë politiko-shoqërore që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, reagoi Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, subjekt që përfaqëson minoritetin grek në jug të vendit.
E rrëmbeu policia me urdhër të Ramës. Beleri duhet të lirohet menjëherë e të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme.
Ndalimi i Alfred Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke. Sipas kryeministrit Edi Rama, “Beleri premtoi helenizimin e Himarës”.
Duke dënuar këtë deklaratë, shefi i qeverisë i kërkoi drejtuesve të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berishës e Ilir Metës, të tërheqin kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se “kurrë nuk ka bërë një deklaratë të tillë”.
Pas ndalimit, Ministria greke e Punëve të Jashtme bëri të ditur se udhëzoi ambasadoren e Greqisë në vendin tonë që të zhvillojë një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për të kërkuar informacione për këtë ngjarje.
Sot në mëngjes, diplomatja Konstantina Kamitsi ishte për një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme ku për pak minuta u prit nga një zyrtar i këtij dikasteri. Mësohet se diplomatja shprehu shqetësimin për ndalimin e kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Në një rast të tillë ndiqet procedura normale që ka të bëjë me ankimet. Pritet që këtë shqetësim, Ministria e Jashtme t’ia përcjellë organeve të drejtësisë.
Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i bashkisë. Më herët, Fredi Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale për një takim pasditen e sotme, për të përmbyllur fushatën zgjedhore para votimeve vendore të 14 Majit.