Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për ndarjen nga jeta në moshën 84-vjeçare të Birçe Hasko, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të spikatura të artit shqiptar.
Në një mesazh të publikuar në “Facebook”, Presidenti vlerësoi kontributin e aktorit si në skenë dhe ekran, ashtu edhe në edukimin e brezave të rinj si pedagog.
“Bota e artit shqiptar humbi sot një nga figurat më të spikatura të saj. Përveçse la gjurmë të çmuara si një aktor i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Birçe Hasko ia kushtoi jetën edhe edukimit, si pedagog i nderuar i shumë brezash aktorësh. Lamtumirë ‘Mjeshtri i Madh’ Birçe Hasko”, shkruan presidenti në “Facebook”.
Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin “popullor” të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.
Gjatë karrierës së tij interpretoi mbi 12 role në teatër, ndërsa një nga rolet më të realizuara mbetet ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços. Në kinematografi debutoi në vitin 1971 me rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”, ndërsa gjatë jetës artistike luajti në më shumë se 30 filma, duke lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare.
Në teatër interpretoi figura si Milo Tafani në komedinë “Shi në plazh” (1983) nga Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” (1984) nga Ruzhdi Pulaha, si dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” (1984) nga Sulejman Pitarka.
Ai njihej për një natyrë të veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe “fshatarakë” të karaktereve i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një mënyrë loje origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku në role dytësore ndërtonte tipa të gjallë, me origjinalitet plastik dhe shprehje të fortë skenike.
Loja e tij karakterizohej nga humori i çlirët dhe spontan, ndërtimi i karaktereve të gjalla dhe autentike, mimika shprehëse dhe një ndjenjë e fortë ritmi në interpretim. Përdorimi i të folurit konkret, shpesh me elemente të dialektit të Labërisë, dhe mënyra e veçantë e komunikimit skenik i jepnin roleve të tij një identitet të dallueshëm artistik.