Aktualitet

Ndërtimet pa leje në Theth, “furtunë” në policinë e Shkodrës/ Shkarkohen drejtuesit!

Kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj dhe shefi i Komisariatit, Nik Nikolla u shkarkuan nga detyra. Shefi i stacionit policor në Theth u pezullua dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.  Shkak janë bërë ndërtimet pa leje në Theth e zaptimi i hapësirave publike.

Gentian Berberi është drejtori i komanduar i Policisë së Shkodrës, pas shkarkimit të Fatmir Lleshajt. Berberi ikën nga drejtimi i Policisë së Kukësit. Mësohet se në qarkun e Kukësit është komanduar si drejtues ish-shefi i Komisariatit numër 2 në Tiranë, Loard Sallaku.

Në një deklaratë për mediat, numri një i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, njoftoi shkarkimet, si edhe paralajmëroi drejtuesit e qarqeve të tjera se do të mbajnë përgjegjësi, nëse konstatohen shkelje.

Do të mbajnë përgjegjësi nëse mbajnë sytë mbyllur dhe nuk e konstatojnë vetë. Para se ta konstatojmë unë, ju, apo para se ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti. Çdo rast neglizhimi, të denoncohet në Policinë e Shtetit.

Ndërtimet pa leje në fshatin turistik të Thethit, bënë që IKMT-ja të ndërmarrë një aksion për shembjen e tyre, por jo pa tensione. Inspektorët u përballën me rezistencën e banorëve.