Aida Gjeçaj, pronare e restorantit që pas mesnate u dogj në Theth, thotë se ekspertët kanë përjashtuar si shkak shkëndijën elektrike. Në një prononcim për mediat, thekson se dëmi i shkaktuar është rreth 150 mijë euro dhe se vjet kishin përfunduar punimet.
Gjeçaj hedh dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa shprehet se nuk ka pasur konflikte apo kërcënime nga njeri. Po ashtu, sqaron se nuk ka ndërtuar pa leje dhe se objektet e saj nuk ishin në listën e atyre që do të shemben nga IKMT-ja. Ndërkaq, pret që drejtësia të zbardhë ngjarjen.
Nuk kam dijeni pasi mbrëmë isha në Tiranë për punë administrative. Më njoftuan në dy të natës se kishte rënë zjarr në subjektin tim. Komshinjtë kanë fikur zjarrin, nuk kanë arritur të shpëtojnë gjë. Ishte restorant me panele diellore e ishte e pamundur që të fikej. Zjarrfikësja nuk ka arritur të vijë në kohë. Gjithsesi ka ardhur, ka bërë pjesën e saj të fundit.
Falenderoj komshinjtë që dhanë ndihmën e parë dhe për të evituar që zjarri të përcillej në godina të tjera, që janë kuzhina e bujtina. Nuk pati dëme në njerëz. Falë Zotit jemi mirë sa i përket jetëve njerëzore ndërsa hekurat shkojnë dhe vijnë. Restoranti është në pronësinë time si Aida Gjeçaj. Kemi mbi 15 vite që operojmë në këtë sektor. Ndër bujtinat e para që kemi punuar e promovuar Thethin në këto vite.
E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk i kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asgjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin.
Nuk e di, rastësia është e keqe. Thashë, nuk kam procedim për prishje siç mund të kenë një pjesë e banorëve sepse s’kam ndërmarrë veprime për ndërtime që mund të penalizohesha. Kam zgjedhur të punoj në nivel të ulët, me restorantin, me një kuzhinë të hapur, me 5 dhoma.
Godina është ekologjike, një strukturë parafabrikat. Kostoja e ndërtimit të saj që e kemi përfunduar vitin e kaluar është afërsisht 150 mijë euro. Kështu që dëmet janë vetëm materiale, dëme kanë çdokush me dashje apo pa dashje. Përderisa nuk është energjitike, ia lë në dorë drejtësisë dhe atyre që janë ekspertë. Ua lëmë atyre në dorë. Duke qenë se familjarisht jemi të lidhur me drejtësinë, ia kemi besuar. Besojmë te ligji dhe shteti dhe nuk e di, presim që veprimet të bëhen dhe e vërteta herët a vonë do të dalë.