Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim pesë persona, mes tyre një punonjës policie, kryeinspektori dhe dy inspektorë të IMT-së në Bashkinë Vau i Dejës. Ata akuzohen se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtimet pa leje në fshatrat Pistull e Paçram, duke mos raportuar shkeljet dhe shpërdoruar detyrën.
Hetimi nisi pas informacionit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që tregonte se punonjës të policisë dhe inspektorë të IMT-së kishin favorizuar ndërtues të paligjshëm. Prokuroria gjeti prova të mjaftueshme për akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
Lejuan ndërtimet pa leje, Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq punonjësin e policisë, kryeinspektorin dhe dy inspektorët e IMT-së në Vaun e Dejës
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq një punonjës të policisë të shtetit, kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe dy inspektorët për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Moskallëzim krimi’ bazuar në nenet 248 dhe 300 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.457, të vitit 2025, bazuar në materialin e referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rezultoi se më datë 09.04.2025, në rrugë operative u dërguan të dhëna konkrete, se në disa raste, shtetas të ndryshëm në fshatin Pistull dhe Paçram të Njësisë Administrative Hajmel, Bashkia Vau i Dejës, po bëhen ndërtime pa leje dhe se këto shtetas janë favorizuar nga punonjësi i policisë në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe nga inspektorët e IMT-së. Në përfundim të hetimeve, rezultuan të provuara elementët e veprës penale të dyshuar dhe u morrën të pandehur, shtetasit:
– A.D., punonjës i policisë së shtetit, me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Vau-Dejës; i akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës “dh”, “gj”, “h”, neni 50 i Kodit Penal, të “Moskallëzimi i krimit” sipas nenit 300 të Kodit Penal dhe për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, sipas nenit 248 i Kodit Penal, nën masën e sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të K.Pr.Penale.
– M.L., me detyrë kryinspektor pranë IMT-sënë Bashkinë Vau-Dejës; i akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës “dh”, “gj”, “h”, neni 50 i Kodit Penal, të “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 i Kodit Penal, nën masën sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;
– J.H., me detyrë inspektore pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës, e akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës “dh”, “gj”, “h”, neni 50 i Kodit Penal, të “Moskallëzimi i krimit” dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 i Kodit Penal, nën masën sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;
– D.Ll., me detyrë inspektor pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës “dh”, “gj”, “h”, neni 50 i Kodit Penal, të “Moskallëzimi i krimit” dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 i Kodit Penal, nën masën sigurimit personal shtrënguese të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”; dhe
– B.D.; i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” sipas parashikimeve të nenit 301 i Kodit Penal, thuhet në njoftim.