Sport

Ndizet atmosfera në “Air Albania”, zbulohet surpriza e Tiranës për tifozat bardheblu!

Teksa na ndajnë 45 minuta nga nisja e derbit Tirana -Partizani, stadiumi “Air Albania” ka filluar të vlojë nga prania e tifozëve. Dy tifogrupet përkatëse kanë marshuar nëpër rrugët e kryeqytetit dhe  po pozicionohen në tribunat e tyre. Deri ne orët e pasdites janë shitur më shumë se 10 mijë bileta nga kapaciteti 22 mijë vendësh i stadiumit.

Vetëm pak minuta para se skenën e “Air Albanias” ta marrin futbollistët, në fushën e blertë do të zbresë këngëtari i mirënjohur Renis Gjoka, i cili do të këndojë himnin zyrtar të Tiranës, një përpunim i versionit zyrtar të kënduar nga Luan Zhegu.

Bashkë me këngëtarin Gjoka në fushë do të jenë edhe përfaqësues të klubit të Tiranës, përkatësisht nga volejbolli, basketbolli, futbolli i femrave, boksi, atletika, etj.

Kjo duket se është edhe surpriza e mbrëmjes, organizuar nga klubi bardheblu për tifozërinë në shkallët e “Air Albanias”, teksa himni pritet të ndezë jo pak atmosferën.

Fakte dhe shifra për derbin e kryeqytetit:

– Tirana vjen në këtë takim si skuadra që kryeson renditjen me 11 pikë dhe do të kërkojë ta mbajë këtë pozicion e vetme. Bardheblutë kanë fituar tre dhe barazuar dy nga 5 ndeshjet e luajtura, teksa nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes.

– Situatë krejt tjetër te Partizani, që nuk njeh ende fitore këtë sezon, pasi në 5 javët e para ka pësuar një humbje e më pas 4 barazime radhazi, ndaj do të kërkojë suksesin pikërisht në derbin e kryeqytetit.

– 161 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës nga viti 1947-2021 në të gjitha kompeticionet, me “të kuqtë që numërojnë 68 fitore, kundrejt 42 të bardhebluve dhe 51 të tjerave që kanë përfunduar në barazim.

– Sezonin e kaluar dy skuadrat u përballën katër herë në kampionat, nga të cilat dy përfunduan në barazim pa gola dhe dy të tjerë u fituan nga Partizani me rezultat të ngushtë 1-0 dhe 2-1.

– Tirana vjen me grupin e plotë dhe trajneri Orges Shehi do të ketë mundësi të hedhë në fushë më të mirët.

– Kolegu i tij Ilir Daja ka bërë llogaritë me tre mungesa si Kaçe e Cardoso që nuk janë grumbulluar dhe Cara që do të qëndrojë në pankinë për të shtrënguar dhëmbët në rast se do jetë nevoja për të në fushë.