Gossip Music

Ndryshime në Eurovision 2025, shpallja e finalistëve nuk do jetë më si më parë?

Ndryshime të reja mund të vijnë në mënyrën se si shpallen shtetet finaliste nga gjysmëfinalet në Eurovision Song Contest 2025. Këto ndryshime u zbuluan në dokumentarin e transmetuesit zviceran SRF, me titull “Der Weg zum ESC 2025” (“Rruga drejt Eurovision 2025”). Sipas raportimeve nga ESC Discord, skenari i shfaqur në dokumentar sugjeron se gjatë njoftimit të finalistëve do të paraqiten nga tre shtete njëkohësisht, ndërsa vetëm njëri prej tyre do të shpallet si kualifikues. Kjo qasje e re duket se synon të rrisë tensionin dhe emocionin, duke marrë inspirim nga formate televizive si The X Factor.

Producentët ekzekutivë të Eurovision 2025, Reto Peritz dhe Moritz Stadler, kishin lënë të kuptohej më herët për The Euro Trip Podcast se do të kishte ndryshime në këtë pjesë të spektaklit. Ata thanë se kjo mënyrë e re e shpalljes do të sjellë më shumë emocione dhe më shumë tension për shikuesit. Kjo nuk është hera e parë që Eurovision teston formate të reja për shpalljen e finalistëve. Një sistem alternativ u provua për herë të parë në Liverpool, gjatë provave të vitit 2023, ku të gjithë artistët u bashkuan në skenë për të dëgjuar shpalljen e emrave të kualifikuarve, ngjashëm me formatet e njohura të spektakleve televizive. Sistemi i ri do të testohet zyrtarisht gjatë provës gjenerale të gjysmëfinales së parë më 12 maj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të miratohet edhe për transmetimin final.

Ndërkaq, thashethemet për rikthimin e madh të Céline Dion në Eurovision po shtohen, teksa raportet e fundit sugjerojnë se ekipi i prodhimit të konkursit të këtij viti, është në negociata të avancuara me yllin ndërkombëtar kanadez. Sipas gazetës zvicerane Le Matin, emri i Céline Dion është përfshirë dy herë në skenarin e shfaqjeve live të Eurovision 2025. Konkretisht, në gjysmëfinalen e parë më 13 maj është planifikuar një nderim i veçantë për këngëtaren që i dha Zvicrës fitoren në vitin 1988.