Sot më 7 qershor, Live nga “Arena Kombëtare”, Top Albania Radio sjell emocionet e zjarrta të mbrëmjes së madhe kuqezi, me një program të dedikuar “Beteja Totale”! Luhet Shqipëri – Serbi, përballja që shkon përtej fushës, një sfidë asnjëherë e zakonshme!
Shqipëria përballet sot me Serbinë në një ndeshje shumë të rëndësishme në Grupin K të kualifikuesve të Botërorit 2026. Kjo është një ndeshje rëndësishme në aspektin sportiv, por padyshim edhe në aspektin emocional të asaj që përmbledh sfida në fjalë duke kujtuar historinë por edhe atë që ndodhi në Beograd 11 vite më parë.
Në studio me Ervin Nikollën është edhe Ardian Cani dhe Arbën Milori. Në fillim ata kanë diskutuar në lidhje me formacionin e ndeshjes dhe zgjedhjet e trajnerit Silvinjo, i cili ka bërë ndryshime drastike në rreshtimin e kuqezinjve. Në mbrojtje shfaqet përsëri nga minuta e parë Hysaj, ndërsa Ajeti fiton balotazhin me Ismajlin përkrah Gjimshitit, me Mitajn që rifiton vendin në të majtë. Në mesfushë, Shehu i merr vendin Ramadanit, ndërsa përkrah do të ketë Asllanin e Laccin. Ndërkohë, Bajrami e Asani ulen në stol, me Hoxhën nga minuta e parë në të majtën, ndërsa Manaj e Broja do jenë më në qendër të sulmit.