Blogerja dhe krijuesja e njohur e përmbajtjes, Wizard Liz, është kthyer në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale pas një videoje virale, ku shpreh publikisht admirimin e saj për vajzat shqiptare.
Në videon, e cila është shpërndarë gjerësisht në TikTok, Liz tregon se është njohur nga një kamariere shqiptare gjatë pushimeve të saj dhe nuk i kursen fjalët e mira për të.
Ne i duam gratë shqiptare. Kamarierja këtu më njohu, djema. Ajo është shqiptare, është shumë e bukur
-dëgjohet të thotë influencerja.
Momenti bëhet edhe më interesant kur ajo dhe shoqja e saj provojnë të flasin shqip, duke thënë me buzëqeshje:
Të dua, zemër.
Videoja është pritur me entuziazëm nga përdoruesit shqiptarë të rrjeteve sociale, të cilët e kanë shpërndarë masivisht dhe kanë reaguar pozitivisht ndaj komplimenteve të saj.
Wizard Liz është një nga figurat më të njohura në platformat sociale, ku numëron miliona ndjekës falë përmbajtjes së saj të fokusuar te vetëzhvillimi, motivimi, marrëdhëniet dhe stili i jetesës.
Përveç këshillave që ndan me ndjekësit, ajo ka folur shpesh edhe për sfidat e jetës personale, duke rrëfyer eksperiencat e saj në dashuri dhe rrugëtimin drejt vetëbesimit. Pikërisht kjo e ka bërë një nga zërat më të ndjekur dhe më të komentuar në botën e rrjeteve sociale.
Me videon e fundit, Wizard Liz ka fituar edhe më shumë simpatinë e publikut shqiptar, ndërsa deklarata e saj për “gratë shqiptare” vazhdon të qarkullojë me shpejtësi në internet.