Aktualitet

Në prag të sezonit turistik rriten importet që furnizojnë hotelet!

Sektori i turizmit ka marrë timonin e ekonomisë vitet e fundit, duke rritur prurjet valutore, punësimin  dhe pagat, por përfitimet nuk po shtrihen për të nxitur sektorë të tjerë të ekonomisë, sidomos prodhimin. Të dhënat mbi tregtinë e jashtme në dy mujorin e parë të vitit tregojnë se sasitë e importeve që lidhen me industrinë akomodimit dhe restoranteve po rriten.

Hotelet janë duke bërë përgatitjet për hapjen e sezonit që tashmë është afruar më herët në pranverë. Gjatë janar-shkurtit, sasitë e importeve të mobilieve, shtretërve, dyshekëve e pajisjeve të ndriçimit janë rritur me 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Importet e pëlhurave e të tapicerive, gjithashtu pësuan rritje me 33% prej kërkesës që kanë hotelet në nisje të sezonit për çarçafë, perde, etj. Këtë fillim vit kanë rënë importet e çadrave të diellit dhe prodhimeve të kashtës, që ishin shumë të larta vitin e kaluar. Kjo për shkak të disa rregullave të reja që përcaktoi qeveria në nëntor të vitit të kaluar e që kufizojnë hapësirën në bregdet nga plazhet private.

Turizmi po nxit edhe transportin detar për qëllime argëtimi. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se në janar-shkurt, sasia e importeve të varkave dhe mjeteve të lundrimit pësoi rritje vjetore me 39%.  Importi i varkave është rritur ndjeshëm vitet e fundit edhe për shkak të rritjes së aktivitetit të peshkimit.

Flota ka rritur numrin e anijeve nisur nga kërkesa e restoranteve dhe çmimet e larta të peshkut të egër e prodhimeve të tjera të detit. Sasia e ushqimeve të importuara u rrit më tej në dy mujor, me 4.6%, teksa sasitë e peshkut thuajse janë dyfishuar. Në janar-shkurt u importuan mbi 3 mijë tonë peshk nga 1,7 mijë tonë në dy mujorin 2023, me rritje 68%.

Shqipëria e ka të zhvilluar sektorin e mobilieve në tregun vendas në formë punishtesh dhe këto e kanë të pamundur të përballojnë kërkesën voluminoze që kanë hotelet. Të dhënat e tjera zyrtare nga INSTAT-i tregojnë se në sektorin e mobilieve, bizneset u përballen me faliment vitet e fundit, në paradoks me vrullin e ndërtimeve në Tiranë e në bregdet.

Eshtë fakt se tre vitet e fundit, sektori i turizmit u rrit shpejt, por prurjet valutore po ikin sërish jashtë vendit për të siguruar mallrat dhe ushqimet që nevojiten për pritjen e tyre. Psh, sektori bujqësor po kalon vështirësi si në blegtori dhe prodhim, duke reflektuar mungesën e financimeve, të fuqisë punëtore e kostove të larta të in-puteve.  Nga ana tjetër, rënia e euros po i bën mallrat e importit më të lira, duke i bërë ato gjithnjë e më konkurruese me ato që prodhohen në vend.

Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, të gjithë sektorët që kishin lidhje me prodhimin pësuan rënie të shitjeve, përveç ndërtimit./ Monitor