Aktualitet

Në Shqipëri, zbulohet liqeni termal nëntokësor më i madh në botë!

“Në Leskovik, një ekip shkencëtarësh çekë zbuluan liqenin termal nëntokësor më të madh në botë dhe e quajtën Liqeni Neuron, sipas fondacionit që financoi ekspeditën”. Kështu shkruan Danny Bate në një artikull të botuar në “Czech Radio”.

Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, prej disa vitesh, shkencëtarët çekë kanë eksploruar  kushtet komplekse të nëndheshme. Në anën shqiptare të kufirit, hasën një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë hartuar në detaje.

Sistemi përmban shumë burime të nxehta që lëshojnë kolona të larta avulli dhe gjurmimi i burimit të avullit i çoi drejt zbulimit të një humnere mbi 100 metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos. Në fund të asaj humnere, ekipi ka konfirmuar zbulimin e liqenit termal nëntokësor më të madh në botë deri më sot. Me një gjatësi prej 138 metrash, një gjerësi prej 42 metrash dhe një perimetër 345 metrash, mund të mbajë 8,335 m3 ujë të nxehtë.

Madhësia e dhomës së liqenit është tre herë më e madhe se salla kryesore e Teatrit Kombëtar në Pragë. Harta e sistemit të shpellës dhe zbulimi i liqenit kërkuan pajisje teknike, të cilat u mundësuan nga “Fondacioni Neuron”.

Organizata çeke e financimit shkencor i dha ekspeditës gati 1 milion koruna çeke, të dhuruara nga dashamirës privatë dhe tani liqeni nëntokësor shqiptar ka marrë emrin Neuron, në nder të fondacionit. Richard Bouda, një fotograf dhe speleolog, përshkruan se si u bë zbulimi: “Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë. Falë “Fondacionit Neuron”, kemi blerë një skaner celular LIDAR, i cili na lejoi të masnim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët, që do të masin pjesën nënujore të atij liqeni duke përdorur një sonar, sistem për zbulimin e objekteve nënujore.

Ekipi çek përdori teknologjinë më të fundit, “GeoSlam”, një lloj teknologjie skanimi 3D, duke krijuar modele të sakta të shpellës. Procesi me të cilin u bë shpella që përmban liqenin, gjithashtu është i pazakontë.

Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik, që në mënyrë të përsëritur e kthen shkëmbin gëlqeror në gips të butë. “Puna e ekipit çek në Shqipëri do të kontribuojë për të kuptuar më mirë këte lloj të rrallë të formimit të shpellave dhe ka shumë punë për të bërë atje”, tha Richard Bouda. Ai shtoi se falë shkencëtarëve me të cilët punojnë, e dinë se burimet përreth ushqehen me ujë nga liqeni.

“Ne besojmë se ky zbulim mund të kontribuojë edhe në mbrojtjen e të gjithë zonës e për të kuptuar më mirë hidrologjinë e saj, pasi deri më sot, askush nuk e di se si janë të lidhura saktësisht këto ujëra nëntokësore me sipërfaqen”, theksoi ai.