Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri të ditur se vendimin për t’i dhënë fund luftës në Iran do ta marrë në bashkëpunim të ndërsjellë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se Netanyahu do të ketë një rol në zgjidhjen e konfliktit.
Mendoj se është reciproke… Po flasim. Do të marr një vendim në kohën e duhur, por gjithçka do të merret parasysh. Irani do të shkatërronte Izraelin dhe gjithçka tjetër përreth tij… Ne kemi bashkëpunuar. Ne kemi shkatërruar një vend që donte të shkatërronte Izraelin, pohoi ndër të tjera Trump.
I pyetur nëse Izraeli mund të vazhdojë luftën kundër Iranit edhe pasi SHBA-të të vendosin të ndalojnë sulmet, Trump refuzoi ta shqyrtojë mundësinë e tha:
Nuk mendoj se do të ishte e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, mbajti një qëndrim mbi “rritjen” e çmimeve të naftës, duke argumentuar se rritja “e përkohshme” e tyre është një çmim shumë i vogël që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota duhet të paguajnë për siguri e paqe.
Më tej, deklaroi se çmimet do të bien me shpejtësi kur të mbarojë shkatërrimi i kërcënimit bërthamor iranian.