Këngëtarja e famshme Taylor Swift ka goditur edhe një herë të gjithë industrinë me publikimin e klipit të projektit të fundit muzikor “The Man”.
Për herë të parë 30-vjeçarja vjen si regjisore, tekstshkruese, kompozitore, këngëtare dhe protagoniste kryesore në klipin e “The Man”.
Edhe një herë tjetër ajo dënon pabarazinë gjinore jo vetëm në industri por në të gjithë botën. Në klip do të shihni një mashkull, një mashtrues burse ashtu si Leonardo DiCaprio në “The Wolf of The Wall Street”, i krimbur në para i cili mendon se është mbreti i botës.
Mr. Tyler Swift, pra alter-egoja e këngëtares shfaqet në një jaht me 10 femra ashtu siç bën DiCaprio i cili nuk del kurrë me vajza mbi 25-vjeç.
Në një tjetër skenë milioneri shfaqet në metro duke urinuar në një mur ku janë të shkruar emrat e gjithë albumeve të Swift që tashmë janë në pronësi të ish-menaxherit të saj Scooter Braun. “Nëse i gjeni ju lutem kthejani Taylor Swift” -shkruhet në tabelën pranë emrave në mur.
Taylor i bën homazh edhe Serena Williams në një skenë ku Mr. Tyler Swift humbet një ndeshje tenisi dhe irritohet pa masë. Pak kohë më parë Serena u dënua pasi u tha se ajo ka mashtruar në një ndeshje tenisi duke bërë hile për të fituar lojën.
Në skenën finale, Mr. Tyler Swift përfundon xhirimet duke shkuar tek regjisorja për ta pyetur se si aktroi. “Mirë por mund të bësh dhe më mirë. Përpiqu të jesh më seksi” -tha Swift duke përdorur një frazë që u thuhet shpesh femrave kur janë përballë kamerës nga regjisorët meshkuj.
Finalja është se Mr.Tyler Swift në fakt është vetë Taylor e cila është transformuar krejtësisht në një mashkull për të përcjellë një mesazh shumë të rëndësishëm.
Stop diskriminimit, përbuzjes dhe dhunës ndaj femrave. Taylor ngre zërin për barazi gjinore dhe të drejtat e grave. “Është e rëndësishme që femrat të kenë zërin e tyre. Ky është feminizmi, të gjithë duhet jemi më të mirë dhe të bëjmë më mirë” -tha ajo në një intervistë pak ditë para publikimit të klipit të “The Man”.