Bota Film & Tv

Netflix në telashe! Gjykata shpall të padrejta çmimet, mijëra abonentë drejt rimbursimeve?

Një vendim i rëndësishëm nga Gjykata e Romës ka tronditur politikat e abonimit të Netflix në Itali, duke hapur rrugën për rimbursime të konsiderueshme për përdoruesit.

Sipas “Movimento Consumatori”, gjykata ka pranuar padinë e ngritur prej tyre dhe ka konstatuar se disa klauzola kontraktuale të kompanisë janë të padrejta dhe të pavlefshme.

Bëhet fjalë për praktikat që i lejonin Netflix të ndryshonte në mënyrë të njëanshme çmimet dhe kushtet e abonimit gjatë periudhës 2017 – janar 2024. Sipas vendimit, këto veprime cenojnë drejtpërdrejt të drejtat e konsumatorëve.

Pasojat mund të jenë të mëdha:

-Një abonent premium mund të përfitojë deri në 500 euro rimbursim.

-Një përdorues i planit standard rreth 250 euro.

Organizata thekson gjithashtu se rritjet e çmimeve, përfshirë edhe planin bazë, duhet të reflektohen me ulje të menjëhershme nga kompania.

Presidenti i Movimento Consumatori, Alessandro Mostaccio, ka paralajmëruar se nëse Netflix nuk ndërmerr hapa konkretë për të kompensuar klientët, mund të nisë një padi kolektive për të rikuperuar paratë e paguara padrejtësisht.

Ky vendim mund të krijojë precedent edhe për vende të tjera, duke vënë gjigantët e streaming nën presion për më shumë transparencë dhe drejtësi ndaj abonentëve.