Film & Tv

Netflix trondit me dokumentarin “Unknown Number: The High School Catfish”! E ëma torturon vajzën e saj me mesazhe tronditëse?

Netflix ka publikuar dokumentarin më të ri të krimeve të vërteta, “Unknown Number: The High School Catfish”, i cili ka lënë pa fjalë miliona shikues me një zbulim tronditës që duket i pabesueshëm edhe për një film.

Historia ndjek adoleshentët Lauryn Licari dhe partnerin e saj, Owen McKenny, nga Beal City, Michigan, të cilët në vitin 2020 nisën të merrnin mesazhe anonime me përmbajtje të rënda – fyerje, kërcënime dhe thirrje të përsëritura për vetëvrasje.

Shpesh, Lauryn merrte deri në 50 mesazhe në ditë, duke e kthyer jetën e saj dhe të gjithë shkollës në një makth të përditshëm.

Kur ngacmimet u bënë të padurueshme, në prill të vitit 2022 në hetim u përfshi edhe FBI, duke përdorur mjetet më të avancuara të hetimit kibernetik.

Pas muajsh kërkimesh, doli në pah një e vërtetë e pabesueshme: autorja e gjithë fushatës së ngacmimeve ishte vetë nëna e Lauryn-it, Kendra Licari, një grua e njohur në komunitet si trajnere basketbolli dhe anëtare e angazhuar e PTA-së.

Për gati dy vite, ajo kishte përdorur aplikacione anonimizuese për të sulmuar vajzën e saj adoleshente.

Në dhjetor 2022, Kendra u arrestua dhe akuzua për ngacmim ndaj të miturve dhe komunikim me qëllim kryerje krimi.

Në vitin 2023, ajo u dënua me deri në pesë vite burg, por doli me kusht gjatë verës. Pas ngjarjes, bashkëshorti i saj, Shawn Licari, kërkoi dhe fitoi kujdestarinë e plotë të vajzës, ndërsa çifti përfundoi në divorc.

Në dokumentar, Kendra përpiqet ta justifikojë veprimin e saj duke e lidhur me trauma nga e kaluara, përfshirë një përdhunim që kishte përjetuar në adoleshencë dhe frikën e humbjes së kontrollit mbi vajzën e saj.

Megjithatë, për publikun këto arsye nuk mjaftuan. Shumë e kanë cilësuar rastin si “të neveritshëm” dhe “të sëmurë”.

Lauryn, tashmë 16 vjeç, shfaqet e shkatërruar emocionalisht nga e vërteta:

Nuk dija si të reagoja. Ishte trishtim, inat, çmenduri. Nuk mund ta besoja që ishte mamaja ime ajo që më shkruante të vrisja veten.

Dokumentari, i publikuar më 29 gusht, është kthyer në një fenomen në rrjete sociale si TikTok dhe Instagram, ku miliona shikues po reagojnë ndaj këtij zbulimi shokues që ka hapur debat mbi dhunën psikologjike, kontrollin prindëror dhe rreziqet e teknologjisë në marrëdhëniet familjare.