Bota

New York Times: Propozimi i ashpërsuar i marrëveshjes nga Trump i është dërguar Iranit!

Donald Trump bëri thirrje për ndryshime në marrëveshjen bërthamore të negociuar me Iranin nga emisarët e tij, duke hapur një raund të ri negociatash që mund të zgjasë disa ditë.

Sipas Axios-it, presidenti amerikan dëshiron të forcojë pika të caktuara të marrëveshjes, veçanërisht ato që lidhen me menaxhimin e materialit bërthamor iranian, ndërsa mbetet i vendosur për të arritur një marrëveshje.

Referuar tre zyrtarëve, shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka shtrënguar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme kornizë për t’i dhënë fund luftës në Iran dhe i ka kthyer ndryshimet e propozuara përsëri për shqyrtim. Këtë e raporton New York Times.

Një zyrtar vuri theksin te frustrimi i Trump-it nga reagimi i ngadaltë i Iranit ndaj propozimeve amerikane.

Një propozim i ri dhe më i rreptë, me shumë gjasa ka për qëllim përshpejtimin e procesit duke ushtruar presion që Irani të pranojë kornizën dërguar për miratim Udhëheqësit Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.

Në një intervistë me Fox News, Trump i quajti negociatat “të ngadalta, por të nevojshme”, duke përsëritur se Teherani nuk mund të sigurojë një armë bërthamore dhe duhet të garantojë lirinë e lundrimit në Hormuz.

Negociatat po ecin ngadalë, po marrin shumë kohë. Nuk jam me nxitim. Do të doja të thoja se jam me nxitim, sepse çmimet e benzinës dyfishohen, por nëse nxitohesh, nuk arrin një marrëveshje të mirë. Irani nuk do të ketë armë bërthamore dhe duhet të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Në mungesë të marrëveshjes me Iranin, Shtetet e Bashkuara janë gati të rifillojnë veprimet ushtarake. Presidenti Donald Trump, e tha këtë në intervistën me Fox News, ndërsa shprehu besimin se një akord do të arrihet, edhe nëse duhet kohë e se sipas tij, do të jetë marrëveshje e shkëlqyer.

Jemi afër marrëveshjes shumë të mirë. Do të bëjmë marrëveshje shumë të mirë. Përndryshe, kthehemi dhe e zgjidhim ushtarakisht.

Ngadalë por me siguri, mendoj se po e marrim atë që duam. Nëse nuk e marrim, e mbyllim në mënyrë tjetër.