Bota

SHBA paralajmëron Iranin: Jemi plotësisht të gatshëm të rifillojmë operacionet ushtarake!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka dërguar një mesazh të qartë ndaj Teheranit, duke deklaruar se forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara mbeten plotësisht të gatshme për të rifilluar operacionet ushtarake kundër Iranit nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Duke folur në forumin ndërkombëtar të sigurisë “Shangri-La Dialogue” në Singapor, kreu i Pentagonit theksoi se SHBA disponon rezerva të konsiderueshme ushtarake dhe kapacitetet e nevojshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi.

 “Jemi plotësisht të aftë të rifillojmë operacionet ushtarake nëse kjo kërkohet”, deklaroi Hegseth.

Ai shtoi se Uashingtoni vazhdon të respektojë angazhimet ndërkombëtare dhe përsëriti se objektivi kryesor i SHBA-së mbetet parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore.

Deklaratat e sekretarit amerikan të Mbrojtjes vijnë një ditë pasi presidenti Donald Trump zhvilloi një takim me ekipin e tij për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje me Teheranin.

Megjithëse pas takimit nuk pati njoftime zyrtare, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të qartë se presidenti amerikan nuk do të miratojë asnjë marrëveshje që nuk përmbush kushtet e vendosura nga Uashingtoni.

“Presidenti Trump do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse ajo është e favorshme për Amerikën dhe respekton vijat e tij të kuqe. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, deklaroi zyrtari për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se çdo marrëveshje e mundshme duhet të përfshijë garanci që do të përjashtojnë përfundimisht zhvillimin e një arsenali bërthamor nga Irani.

Gjatë të njëjtës fjalim në Singapor, Hegseth u ndal edhe te rritja e fuqisë ushtarake të Kinës, duke shprehur shqetësim për zhvillimet në rajonin Azi-Paqësor.

“Ekziston një shqetësim i arsyeshëm për zgjerimin historik të kapaciteteve ushtarake të Kinës dhe për shtrirjen e aktiviteteve të saj ushtarake në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Deklaratat marrin një rëndësi të veçantë, pasi ministri kinez i Mbrojtjes mungon për të dytin vit radhazi në këtë forum ndërkombëtar.

Kreu i Pentagonit deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë ruajtjen e një ekuilibri të qëndrueshëm forcash në rajon, duke penguar çdo shtet që të fitojë një rol dominues.

“Ne synojmë një ekuilibër të favorshëm dhe të qëndrueshëm të forcave, ku asnjë shtet, përfshirë Kinën, të mos jetë në gjendje të imponojë hegjemoninë e tij apo të kërcënojë sigurinë dhe mirëqenien e vendit tonë dhe aleatëve tanë”, deklaroi Hegseth.