Gossip

Neymar operohet në gju, si është gjendja e yllit brazilian?

Neymar i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në gjurin e majtë, ka njoftuar klubi Santos, duke qetësuar shqetësimet rreth gjendjes së yllit brazilian.

Sipas deklaratës zyrtare, ish-lojtari i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain iu nënshtrua një artroskopie për të trajtuar një këputje në meniskun medial.

Klubi konfirmoi se operacioni ka përfunduar me sukses dhe se lojtari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërhyrja u krye nga mjeku i kombëtares së Brazilit, i njëjti specialist që e ka operuar Neymarin edhe më parë, çka ka rritur besimin për një rikuperim të kontrolluar dhe të sigurt.

Sezoni ka qenë i vështirë për sulmuesin 33-vjeçar me klubin e fëmijërisë, ku u rikthye në fillim të vitit.

Dëmtimet e shpeshta e kanë penguar të ketë vazhdimësi, megjithatë ai ka luajtur një rol vendimtar në mbajtjen e Santos në elitën e futbollit brazilian.

Në 20 ndeshje të kampionatit, Neymar ka shënuar tetë gola, pesë prej të cilëve në pesë takimet e fundit, duke treguar se ende mbetet një faktor kyç në fushë.

Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Brazilit, me 79 gola, dy më shumë se legjenda Pele, nuk ka veshur fanellën e kombëtares prej më shumë se dy vitesh. Paraqitja e fundit e tij daton më 17 tetor 2023, kur pësoi një dëmtim serioz në gju ndaj Uruguait.

Pavarësisht rikthimit të tij gradual në formë, Neymar ende nuk është grumbulluar nga trajneri i ri i Brazilit, Carlo Ancelotti, i cili mori drejtimin e Selecao-s në qershor.