Beyoncé ka folur hapur për herë të parë rreth turneut të saj historik “Cowboy Carter”, i cili hyri në histori si turneu country më fitimprurës i të gjitha kohërave.
Në një intervistë për Pollstar, artistja 44-vjeçare ka zbuluar se suksesi nuk erdhi menjëherë, por u shoqërua me vështirësi, shitje të ngadalta biletash dhe sfida teknike në javët e para.
Gjithçka lindi nga dashuria dhe respekti im për muzikën country. Qëllimi ishte të festonim qëndrueshmërinë amerikane
-u shpreh ajo, duke shtuar se turneu kishte një domethënie personale dhe kulturore shumë të fortë.
Beyoncé theksoi se projekti ishte i lidhur ngushtë me rrënjët e saj në Teksas dhe me historinë shpesh të anashkaluar të kaubojve të zinj.
Në skenë u reflektuan elemente personale, si frymëzime nga salloni i flokëve i nënës së saj dhe tregtia e stërgjyshit të saj në Alabama.
Ylli botëror zbuloi gjithashtu përkushtimin ekstrem ndaj çdo detaji të shfaqjes, nga dizajni i zërit dhe ndriçimi, te koreografia dhe pamjet vizuale, për të krijuar një përvojë gjithëpërfshirëse për publikun.
Ne e rregullojmë çdo element derisa të ndiej shpirtin në çdo detaj
-theksoi ajo.
Turneu u shndërrua në një spektakël të vërtetë, me paraqitje surprizë nga JAY-Z, Destiny’s Child, Miley Cyrus, si dhe nga vajzat e saj, Blue Ivy dhe Rumi, duke ndezur stadiumet kudo.
Pas një nisjeje të vështirë, Beyoncé arriti një triumf të jashtëzakonshëm. Pesë koncertet në stadiumin SoFi sollën fitime rekord prej rreth 51.8 milionë eurosh dhe 217 mijë bileta të shitura, duke lënë pas edhe turne të artistëve si Shakira dhe Coldplay.
Ky sukses shënoi një kthesë të fortë, sidomos në krahasim me javët e para, kur biletat rishiteshin për vetëm 20 dollarë, një situatë pothuajse e paimagjinueshme për një superyll të përmasave të Beyoncés.