Tech Top Tech - News

Nga makinat si Transformers tek bashkimi i forcave mes Uber dhe Volkswagen/5 risitë e kësaj jave në teknologji!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

“Edits” i Instagram thyen rekorde

Instagram sapo hodhi në treg “Edits” dhe….. 7 milionë shkarkime në vetëm një javë. Më shumë se CapCut-i në kohën e artë të TikTok-ut. Pra, nëse mendonit që CapCut ishte mbreti i editimeve në telefon… epo, Instagrami sapo ia mori fronin. Në vitin 2025, duket se çdo aplikacion ka një qëllim: të bëjë gjithçka që bën aplikacioni tjetër, vetëm me më shumë filtra dhe më pak ndjenja faji.
Instagram? Nuk po përpiqet më të konkurrojë — po shkon direkt për “monopol me buzëqeshje”. CapCut tani mund të ndjejë në ajër atë aromën e freskët të “opsione të reja karriere” – p.sh., tutoriale se si të mbijetosh pa qenë më aplikacioni i preferuar i adoleshentëve.
Pra, moral i historisë? Nëse nuk di të editosh, mos u shqetëso: Instagrami tashmë ka menduar dhe për këtë. Një klik. Një swipe. Një efekt. Dhe ke një video profesionale.

Makina e re elektrike që duket si Transformers

Slate sapo prezantoi makinën e parë elektrike që duket si të ketë dalë nga një film i “Transformers”. Një “EV truck” që paloset, zgjatet dhe transformohet më shpejt sesa ndërron mendje një politikan në fushatë. Nga ana tjetër, Tesla… po jeton në dy realitete paralele: një ku çdo gjë është perfekte, dhe një tjetër ku robotët Optimus mezi gjejnë derën për të dalë nga laboratori. Elon Musk po shet ëndrra për makina autonome dhe robotë shtëpie, ndërsa në terren Tesla po përballet me probleme që ndonjëherë duken më të mëdha se vetë Cybertruck. Në këtë mes, Jeff Bezos po buzëqesh diku, duke llogaritur se si Slate mund të bëjë miliona mos të them miliarda.
Përfundimi? Nëse Slate realizon vetëm gjysmën e asaj që premton, ndoshta s’kemi më nevojë për rimorkio — thjesht e palosim kamionin si valixhe dhe vazhdojmë rrugën. 

Ëndrra e Mark Zuckerberg

Mark Zuckerberg ka një ëndërr të madhe: ta bëjë Facebook-un cool si dikur. Gjatë një gjyqi që po e ndjek FTC (ata që kontrollojnë mos të bëhesh shumë i fuqishëm), doli një ide “e ëmbël” nga brenda Meta-s:
Marku kishte menduar të fshinte të gjitha miqësitë tona në Facebook – nga mami, nga shoku i fëmijërisë, nga kolegu që s’e ke parë kurrë – që njerëzit të fillonin nga e para dhe të dashuroheshin sërish me Facebook-un. Po, seriozisht! Një fshirje totale, si një reset magjik.
Vetëm ti dhe një mur bosh, që të thotë: “Hej, bëhu përsëri i ri!” Si përfundim, s’e bënë këtë çmenduri, por vetëm ideja tregon sa shumë fuqi ka Zuckerberg… Një buton “Delete All Friends” larg, dhe bum – jeta jote sociale online kthehet në zero.

Titrat e ri të Netflix synojnë…

Netflix sapo solli një opsion të ri që do të pëlqejë shumë nga ne: subtitle vetëm për dialogët. Pa efektet, pa “[door creaks]”, pa “[dramatic music intensifies]”. Vetëm fjalët që thuhen. ️ Pra, nëse ke kaluar netë duke lexuar “zhurma në sfond” ndërkohë që thjesht doje të kuptoje çfarë tha mafiozi italian në serial… urime, jeta jote sapo u përmirësua.
Netflix më në fund e kuptoi që ndonjëherë nuk duam të dimë që dritarja ra nga era — thjesht duam të kapim çfarë tha personazhi përpara se të vdesë në skenën tjetër.
Bravo, Netflix! Dhe në këtë ritëm… kush e di? Ndoshta së shpejti do kemi edhe opsionin “subtitle për njerëzit që flasin shumë shpejt në spanjisht” Një hap i vogël për Netflix, një hap gjigant për ata që thjesht duan të kuptojnë dramën pa u bërë lexues profesionist.

Uber dhe Volkswagen bëhen bashkë

Uber dhe Volkswagen kanë bashkuar forcat për të sjellë robotaxi në Amerike – me minibus elektrikë që vetëdrejtohen. Po pra, autobuzët e vegjël legjendarë të VW tani jo vetëm që janë rikthyer, por edhe e dinë vetë rrugën për në shtëpi. Në vitin 2026, Uber planifikon t’i hedhë në rrugë këta microbusë që s’kanë nevojë për shofer.
Sapo futesh brenda, s’ka më “Ku do shkosh?”, “Ndal këtu!” apo “Pse more kthesën gabim?”.
Vetëm ti, një ekran, dhe një autobus që ngjan si lodër, por vozit si pilot formule 1. Volkswagen nga ana tjetër, po përpiqet të bëjë diçka që shumë makina s’e kanë bërë dot: të duket cool dhe autonome në të njëjtën kohë. Dhe Uber? Më në fund gjeti një mënyrë të sigurt për të shmangur drejtuesit që i bien burisë 3 herë për çdo 10 metra. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ndoshta së shpejti do porosisim një robotaxi… dhe do ankohemi për “robotin që s’di të zgjedhe rrugën”.

Ocado risia e teknologjisë

Ocado nuk është thjesht një supermarket online – është një fabrikë teknologjie që dërgon karrocat te dera jote më shpejt se ç’e mendon. Në zemër të suksesit të tyre qëndrojnë Customer Fulfilment Centres (ose siç mund t’i quajmë: fabrika robotike që dinë më mirë se ti çfarë ke në frigorifer). Në këto qendra, robotë ultra-inteligjentë lëvizin sipër rafteve, kapin produktet, paketojnë porositë dhe përgatisin gjithçka për shpërndarje. Në vend të njerëzve që humbin nëpër korridoreve duke kërkuar ketchup, ke një ushtri robotësh që funksionon me milimetra dhe sekonda. Më pak “Ku është ky artikull?” dhe më shumë “Pakoja juaj është gati para se të mbaroni kafen e mëngjesit.” 
Ocado thotë që këto qendra kanë 5x më shumë efikasitet sesa magazinat tradicionale. Në përkthim: më shumë porosi, më pak stres dhe më shumë shanse që të marrësh avokadon perfekte para se të bëhet e zezë. Nëse supermarketet janë betejë, atëherë Ocado ka shpikur armën më të sofistikuar që është parë ndonjëherë.