Para se të bëhej një nga yjet më të mëdhenj të NFL-së, Travis Kelce kalonte orë të tëra duke u argëtuar në roller coaster-at e Cedar Point në Ohio. Tani, sportisti i Kansas City Chiefs po nis një aventurë të re jashtë fushës së futbollit.
Ylli amerikan është emëruar ambasador i markës për kompaninë e njohur të parqeve të argëtimit Six Flags, një nga operatorët më të mëdhenj të këtij sektori në Amerikën e Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar, Kelce do të mbajë këtë rol gjatë gjithë vitit 2026, duke u përfshirë në fushata promocionale në rrjetet sociale, në media transmetimi, platforma streaming dhe në materiale marketingu brenda parqeve të kompanisë.
Parqet “Six Flags” kanë qenë pjesë e fëmijërisë sime dhe vendi ku kam krijuar disa nga kujtimet më të bukura. Jam shumë i entuziazmuar për këtë bashkëpunim dhe për të ndihmuar në krijimin e eksperiencave të paharrueshme për fansat
-u shpreh Kelce në një deklaratë për shtyp.
Edhe drejtuesit e kompanisë janë shprehur entuziastë për bashkëpunimin. Presidenti dhe CEO i Six Flags, John Reilly, tha se Kelce është “një fans i vërtetë i Six Flags” dhe se energjia dhe personaliteti i tij do të sjellin edhe më shumë emocion në parqet e argëtimit.
Ky bashkëpunim vjen në një moment ndryshimesh për kompaninë, e cila së fundmi ka njoftuar shitjen e disa pronave në Amerikën e Veriut për t’u fokusuar te parqet më të suksesshme, përfshirë Michigan’s Adventure, Schlitterbahn Waterpark Galveston dhe Six Flags Great Escape.
Pavarësisht ndryshimeve, parqet pritet të vazhdojnë operimin normal gjatë sezonit 2026, ndërsa kompania synon të tërheqë një brez të ri vizitorësh, këtë herë me ndihmën e një prej yjeve më të famshëm të sportit amerikan.