Aktori Klod Hoxha ishte i ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në Top Albania Radio, ku ndau me publikun rrëfimin e tij të sinqertë mbi rrugëtimin artistik dhe sfidat që e kanë shoqëruar në industrinë e filmit dhe teatrit. Gjatë bisedës, ai foli për hapat e parë në aktrim, frymëzimin që e shtyu drejt kësaj rruge dhe përpjekjet për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në një fushë që kërkon përkushtim të plotë. Klodi theksoi se për të, arti është më shumë se profesion, është një thirrje shpirtërore që e ka udhëhequr ndër vite.
Në përmbledhje të karrierës së tij, Hoxha ndau eksperienca nga projekte të ndryshme filmike dhe teatrale, duke treguar se ka qenë i angazhuar në role që kërkojnë jo vetëm talent, por edhe përgatitje të thellë emocionale dhe fizike. Ai foli për rëndësinë e përfaqësimit të realitetit shqiptar përmes skenës dhe ekranit, si dhe për rolin që kanë artistët në krijimin e një kulture të re, më të ndërgjegjshme. Me një ton reflektues por edhe motivues, Klod Hoxha përcolli mesazhin se arti ka fuqinë të ndryshojë perspektiva dhe të ndikojë shoqërinë në mënyra të thella dhe të qëndrueshme.
E teksa flasim për vite, le të kthehemi pas në kohë? Si e mban mend veten ai në fillimet e këtij profesioni?
Unë të them të drejtën, se të gjithë thonë ‘kam dashur të bëhem aktor’, apo kur kanë arritur një profesion të caktuar kanë dashur të bëhen jurista, unë nuk kam pasur lidhje. Aktrimi me mua ka qenë shumë larg. Nuk është se kemi pasur lidhje. E vetmja lidhje ka qenë mamaja që shikonte teatrot që jepeshin të enjten në RTSH në atë kohë. Sa herë i shikoja, gjithmonë më pëlqenin ato shfaqjet. I shikoja me mamanë gjatë gjithë kohës dhe ka qenë një nga shtysat. Pastaj për fushën e artit kam qenë shumë i tërhequr, nuk është se kam qenë i futur. Kam pasur shumë turp e emocione, madje në pallatin tim kam pasur një mësues muzike, që i binte firzamonikës, dhe një regjisor. Ky i muzikës i thoshte prindërve të mi ‘silleni Klodin për muzikë se ka vesh’. Unë s’kisha lidhje fare. Në atë kohë bëheshin në pallatet e kulturës që bëheshin shfaqje dhe unë kisha një këngë për të kënduar. Nuk u duka në shtëpi gjithë ditën. As atje nuk shkova, as në shtëpi nuk shkova, se kisha hall mos më thonin prindërit ‘pse nuk ke shkuar?’. Kam qenë i tërhequr.
Në atë kohë ai kujton edhe vitet e vështira që rinia shqiptare u përball, sidomos në ‘97, ndaj për të ishte diçka e pamundur të mendonte për t’u bërë pjesë e artit, por çdo gjë erdhi shumë natyrshëm. Insistimi i babait të tij për të vazhduar shkollën e lartë dhe zbulimi i talentit të tij nga i ndjeri Genti Demaliaj bëri që ai të regjistrohej në Akademinë e Arteve, nga ku nisi rrugëtimi i tij. Përsa i përket ditëve të sotme, a është ky profesion i së ardhmes për studentët dhe që t’i përjetojnë me të njëjtën ndjesi arritjet e tyre?
Po bëj 20 vite që nga Akademia e Arteve, por ngaqë nuk jemi shumë të lidhur me akademinë tani themi që ‘e kanë lënë pas dore’. Ky brez ndoshta mund të jenë më të mirë se ne, ku i dihet? Ne flasim për brezin tonë që kemi kaluar dhe vërtetë që kemi pasur më shumë kërkesë llogarie. Ne shkonim në orën 7 të mëngjesit dhe flinim edhe në studio. Ndërsa tani me sa kam dëgjuar nuk është e njëjta gjë.