Prishtina zyrtare ra dakord të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës e t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, çka do t’i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe automjetet.
Sipas njoftimit të fundit nga autoritetet, zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet fillon më 15 mars, pra sot.
Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.
Masat e reja lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb vijnë pas një takimi që dje patën në Prishtinë kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet kundërshtohet nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe sektori civil, që argumentojnë se një gjë e tillë do të ndikojë negativisht te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë e arsimit që veprojnë brenda sistemit të Serbisë, në mjediset me shumicë serbe.
Kjo, për faktin se masat do të preknin pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.
Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, i cili vepron brenda sistemit serb, qytetarët serbë punojnë ose studiojnë dhe do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.
Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si “paralele dhe të paligjshme”.
Në konferencën për media me Sorensenin dhe kreun e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orava, Kurti tha se do të vazhdojë të punojë për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës.
Lejet e qëndrimit për punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit do të lëshohen në mënyrë që serbët vendas të mos mbeten pa shërbime bazë, ndërkohë që integrimi është në proces.
Udhëheqësit lokalë do t’i paraqesin Qeverisë listat e stafit akademik dhe shëndetësor, të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Këto lista do të përdoren më pas për të lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për qytetarët e huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për arsimim.