Celebrities Film & Tv

Nga “Titanic” te rënia e madhe… Pse Oscar nuk është më spektakli që ndalte Amerikën?

Dikur ishte ngjarja që boshatiste rrugët dhe mblidhte miliona para ekranit. Sot, shifrat flasin ndryshe. Ceremonia e çmimeve Oscar arriti kulmin e saj në vitin 1998, kur filmi Titanic dominoi mbrëmjen duke fituar 11 statuja nga 14 nominime në Academy Awards.

Ai moment mbetet historik edhe për deklaratën ikonike të regjisorit James Cameron, i cili, pasi mori çmimin për regjinë më të mirë, shpërtheu me fjalët:

Unë jam mbreti i botës!

Ishte nata kur 57 milionë amerikanë e ndoqën ceremoninë drejtpërdrejt në ABC, 4.5 milionë më shumë sesa finalja e serialit Friends në vitin 2004.

Por pas asaj nate madhështore, grafiku i shikueshmërisë nisi të zbresë si një anije që fundoset. Në vitin 1999, ceremonia u ndoq nga 46 milionë njerëz. Në fillim të viteve 2000, shifrat luhateshin mes 30 dhe 40 milionë, për të rënë më pas ndjeshëm: 27 milionë në 2018, 24 milionë në 2020 dhe vetëm 10 milionë në vitin 2021, gjatë pandemisë.

Vitin e kaluar, shifra u rikthye në rreth 20 milionë, afro një e treta e audiencës së epokës së “Titanic”.

Sipas autorit Tim Robey, suksesi i vitit 1998 lidhej me faktin se “Titanic” ishte një fenomen global.

Ishte filmi më i madh i bërë ndonjëherë në atë kohë dhe publiku donte ta shihte të triumfonte

-ka thënë ai për BBC.

Historikisht, Oscar dhe publiku kanë qenë më të sinkronizuar. Filma si Casablanca, Ben-Hur, My Fair Lady dhe Around the World in 80 Days ishin njëkohësisht fitues çmimesh dhe hite të mëdha financiare.

Nga viti 1927 deri në 1976, rreth 90% e fituesve të filmit më të mirë ishin gjithashtu mes 10 filmave më fitimprurës të vitit.

Por pas mijëvjeçarit, rrugët e industrisë dhe publikut u ndanë. Studimet e Hollivudit investuan miliarda në filma superheronjsh, saga fantastike dhe adaptime videolojërash, projekte që dominojnë arkën, por jo domosdoshmërisht sezonin e çmimeve.

Rezultati? Sot është e rrallë që publiku masiv dhe Akademia të bien dakord për atë që konsiderohet “film i madh”. Dhe kështu, ceremonia që dikur ishte festa më e madhe e kinemasë, po përballet me sfidën për të rikthyer magjinë e humbur.