Bota Sport

Nike po synon të thyejë traditën 25-vjeçare të topit Adidas?

Nike thuhet se ka hyrë në negociata ekskluzive me UEFA-n për t’u bërë furnizuesi zyrtar i topave në tre kompeticionet kryesore evropiane; Champions League, Europa League dhe Europa Conference League, raporton “The Athletic”. Kjo lëvizje synon të sfidojë dominimin historik të Adidas-it, i cili ka mbajtur këtë marrëveshje për më shumë se 25 vite, duke e bërë topin e tij një simbol të pandashëm të netëve evropiane.

Nga ana tjetër, UEFA duket e vendosur ta shfrytëzojë këtë interes të lartë për të rritur vlerën financiare të kontratës, duke krijuar një garë të hapur mes gjigantëve të industrisë sportive. Nëse marrëveshja finalizohet, do të shënonte një ndryshim historik në një nga partneritetet më jetëgjata në futbollin evropian.

Nike, ka pranuar se ka një defekt në uniformat e prodhuara prej tyre për Kupën e Botës 2026, raporton “The Guardian”. Uniformat kanë një gabim në qepje, duke shkaktuar një deformim të dukshëm në pjesën e supit. Megjithatë, Nike pranon se gabimi nuk ka gjasa që të rregullohet tani, pasi miliona fanella janë prodhuar tashmë. Kompania nuk pritet t’i tërheqë ato nga stoku për shkak të problemeve logjistike. Ky incident ngre pyetje mbi kontrollin e cilësisë në prodhimet masive dhe përgatitjet e kompanive të mëdha për evente sportive globale, duke treguar se edhe brendet më të mëdha nuk janë të imunizuar ndaj gabimeve të prodhimit.