Aktualitet

Nis hapja e zarfeve të votave të shqiptarëve në Greqi!

KQZ vendosi dje që votat e mbërritura nga Greqia, të cilat janë lënë pezull, do të numërohen pasi sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, nuk është gjetur asnjë parregullsi në këto kuti.

Procesi ka nisur mëngjesin e kësaj të shtune, në Parkun Olimpik.

Votat e mbërritura nga Greqia u lanë pezull pas kërkesës së bërë nga PD drejtuar KQZ. Por pas këtij vendimi, PS e ankimoi në KAS, dhe ky i fundit i dha të drejtë.

Më pas PD kallëzoi KQZ, për të anuluar edhe një herë numërimin.

Më herët edhe Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ, urdhëroi numërimin e 53 mijë zarfeve, pasi nga verifikimet nuk u gjetën parregullsi në proces dhe kuti, ndaj është detyrim ligjor për te numëruar dhe vlerësuar çdo vote dhe çdo zarf që gjendet në këto kuti.

“Komisioni shtetëror i zgjedhjeve vendos vazhdimin dhe përfundimin e numërimit dhe të vlerësimit të çdo dokumentacioni zgjedhor të votuesve nga jashtë të ardhur në KQZ, si dhe tabelimin e rezultateve përkatëse për subjektet zgjedhore, kandidatët që i janë nënshtruar votimit për çdo qark. Ky urdherim përfshin gjithashtu edhe zarfet që nuk janë shqyrtuar dhe janë administruar sipas vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 1121, datë 12.05.2025. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, tha Celibashi.