Policia e Tiranës arrestoi 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, nipi i Vladimir Gjutës, pas ngjarjes së ndodhur dje në hotelin e familjes së tyre ku një 18-vjeçare u plagos me armë zjarri. E dashura e Erisjaldo Gjutësdyshohet të jetë vetëplagosur me armën e 22 vjeçarit teksa ndodhej e vetme në dhomë.
Pistoleta nuk është gjetur ende, ndërsa në deklarime, i riu mohon të ketë djeni për të. Erisjaldo Gjuta akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese e municionit”.
Para bluve, deklaroi se gjendej jashtë me të atin, kur dëgjoi të shtënën e armës. Më tej, zbuloi se u ngjitën me vrap për te dhoma ku ishte e dashura, të cilën e gjetën të plagosur. Fillimisht, tentuan t’i japin ndihmën e parë, por duke parë se gjendja ishte serioze, vendosën ta çonin në spital.
Një ditë më parë, policia arrestoi nënën dhe xhaxhanë e 22 vjeçarit, Mirvete e Vladimir Gjuta. Në kërkim janë shpallur babai dhe kushëriri i tij, Saimir e Elvir Gjuta.
Akuzohen se nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë prishur provat në vendngjarje duke porositur të deklarohej se “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”.
E reja është jashtë rrezikut për jetën dhe në deklaratën e saj në polici, pohoi se ka tentuar të vrasë veten se siç u shpreh, “ka bërë gabime ne jetë”.