Në Kukës, policia vuri në pranga njërin nga të rinjtë, të cilët një natë më parë u shpallën në kërkim për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim në zgjedhjet parlamentare. U arrestua një 27-vjeçar dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit. Gjatë arrestimit, të riut iu gjet një shumë e konsiderueshme parash, që dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit në zgjedhje.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku u shpallën në kërkim dy shtetas për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, ju informojmë se;
Nga strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve zgjedhore në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH dhe DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P., 27 vjeç, banues në fshatin Lusen, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë arrestimit, këtij shtetasi ju gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Vijon puna për kapjen e shtetasit G.P.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.