Art & Kulturë

“Një martesë në det”- Një histori e vërtetë dashurie, obsesioni dhe mbijetese në kufijtë e ekstremes!

Historia e vërtetë elektrizuese e një çifti të ri në një rrëfim marramendës obsesioni, mbijetese dhe partneriteti që arrin kufijtë e saj.

Maurice dhe Maralyn përbëjnë një çift të çuditshëm. Ai është i vetmuar, i ngathët dhe obsesiv; ajo është karizmatike dhe ambicioze. Por ata ndajnë një frikë të përbashkët për çuarjen dëm të jetës së tyre. Dhe ata ëndërrojnë – siç të gjithë ëndërrojmë – të ikin nga e gjithë kjo. Po sikur të linin punën, të shisnin shtëpinë, të blinin një varkë dhe të lundronin?

Shumica prej nesh fillojnë dhe mbarojnë me ëndrrën me sy hapur. Por Maurice filloi të studionte navigimin detar. Maralyn bëri lista të detajuara furnizimesh. Dhe në qershor të vitit 1972, ata u nisën për lundrim. Për gati një vit gjithçka shkoi mirë, derisa thellë në Paqësor, një balenë shkatërroi varkën e tyre dhe ajo u fundos nën det.

Burri dhe gruaja mbetën të lënë në det të hapur në Paqësor për njëqind e tetëmbëdhjetë ditë, me një gomone dhe një rezervë ushqimi të konservuar dhe uji të pastër që po pakësohej me shpejtësi. Ajo që pason është një luftë marramendëse për të mbijetuar në oqeanin e ashpër, me pak shpresë për shpëtim. Të vetëm së bashku për muaj të tërë në një gomone të vogël, të uritur dhe të rraskapitur, Maurice dhe Maralyn duhet të gjejnë jo vetëm mënyra për të mbijetuar, por edhe për të shkuar mirë me njëri-tjetrin, ndërsa demonët e tyre të brendshëm dalin në pah dhe martesa e tyre vihet para sprovave më të mëdha. Edhe pse mund të largohen nga bota, nuk mund të largohen nga vetja.

Ata e mendonin varkën e tyre si fëmijën e tyre. Të dëgjoje atë teksa shkatërrohej ishte si të dëgjoje britmën e dhimbshme të një foshnjeje. Burri dhe gruaja donin të çliroheshin nga “shtypjet komode të Anglisë së klasës së mesme”, por Maurice ishte shumë më i bezdisshëm për këtë; ai i përçmonte fqinjët dhe bashkëmoshatarët e tij në tokë, të cilët, i mbivlerësonin “gjërat prozaike dhe të kësaj bote – paratë, pronën dhe interesin vetjak”. Megjithatë, Maurice, psikika e të cilit është një ndeshje kafazi midis urrejtjes së tij për njerëzit e tjerë dhe urrejtjes së tij për veten, është një individualist aq i mburrur dhe krenar sa mund të imagjinohet. Ata po braktisnin të gjithë ata që njihnin për të jetuar mbi ujë, vetëm, të çliruar nga detyrimet dhe komuniteti, nga të gjitha gjërat që e lidhin një person me një vend ose njerëzit e tij, nga poshtërimet e përditshme të jetës së zakonshme.

“Një martesë në det” kombinon një aventurë në det të hapur plot adrenalinë me një histori dashurie rrëqethëse që pyet pse i duam njerëzit e vështirë dhe kush bëhemi ne në kushtet më ekstreme të imagjinueshme. “Një martesë në det” është një rrëfim magjepsës i një partneriteti në ekstrem dhe se si rreziqet më të zakonshme të jetës martesore – klaustrofobia, varësia nga njëri-tjetri, mungesa e kufijve – bëhen totale në mes të katastrofës.