Deputetja Marjana Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por kjo vendimmarrje e saj ka ngjallur indinjatë dhe revoltë në bazën socialiste. Të shumta janë komentet në rrjetet sociale që deputetes Koçeku i kërkojnë që të dorëzojë mandatin e deputetes, pasi atë e ka fituar duke qenë në listën e mbullur të PS në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 2025-ës.
Studentja Helena Kaçe, e cila hapi kongresin e PS-së, e ku Edi Rama tha se ajo do të jetë pasardhësja e tij në parti, shkruan: “Ka një lloj hipokrizie dhe mosmirënjohje në politikë. Të futesh në Parlament përmes listave të mbyllura, me votat dhe angazhimin e një partie, e pastaj të kujtohesh se ‘idealet e kufijtë moralë’ të shtyjnë të dalësh e pavarur. Pavarësia e vërtetë nuk nis duke dorëzuar teserën e mbajtur karrigën. Nis duke dorëzuar mandatin. Sepse ato vota që të sollën në Parlament ishin të njerëzve që votuan një logo dhe vision politik. Nëse idealet e tua nuk përkojnë më me atë shtëpi politike, hapi më parimor është tua kthesh mandatin atyre që të besuan. Suksesep aç në rrugëtimin tënd të ri Marjana si e pavarur, po bëje si duhet: Dorëzo mandatin!”
Anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi shkruan se nëse një deputet nuk përfaqëson më forcën politike me të cilën është zgjedhur, atëherë duhet të dorëzojë mandatin, duke theksuar se mandati nuk është pronë personale, por besim i dhënë nga votuesit dhe partia.
“E vlerësoj vendimin e znj. Koçeku për t’iu bashkuar një kauze që sot ka zgjedhur ta quajë edhe të sajën. Megjithatë, është e vështirë të mos vëresh se të gjitha ato kauza që sot i zbulon me pasion kanë qenë aty edhe dje, edhe pardje, madje edhe ditën kur ajo pranoi të bëhej pjesë e Partia Socialiste e Shqipërisë si deputete e sigurt në një nga zonat më të vështira politike të PS. Kur kauzat kërkonin betejë parlamentare, ajo kishte e ka mandat, zë, karton dhe mikrofon. Sot, pasi ka shijuar privilegjet e përfaqësimit, zgjedh të largohet duke u sjellë sikur sapo ka zbuluar realitetin. Nëse beson se nuk përfaqëson më Partinë Socialiste, atëherë akti politik nuk mbaron te dorëzimi i teserës (që nuk e di nëse e ka) por tek dorëzimin e mandatit. Mandati nuk është valixhe personale që merret me vete sa herë ndryshon destinacioni apo mendimet e adoleshencës politike. Ai është besim i dhënë nga një komunitet, nga një ekip dhe nga një forcë politike si Shkodra ku socialistët aty kanë bërë beteja që ajo të jetë në Kuvend. Ndaj e dashur Marian, suksese paç, por dorëzo mandatin! Të tjerat pastaj, do të fluturojnë si flamingot. Disa drejt horizontit, disa drejt kamerave. Koha do të tregojë se ku do të ulen”, shkruan ai.