Të rrallë janë njerëzit që nuk kanë dëgjuar apo parë diçka nga bota e “The Godfather”. Perla e Mario Putzos, vënë me mjeshtëri në ekran nga Francis Ford Coppola, është padyshim një nga trashëgimitë më të mëdha kinematografike që bota ka dhe do të ketë.
Të shumtë kanë qenë prodhimet kinematografike që janë munduar t’i shkojnë afër, por asnjë ende nuk ia kanë arritur.
I vetmi serial që më dha (Vibe), energjinë e një Godfatheri modern në një botë imagjinare është pikërisht Colin Farrell me personazhin e tij fantastik Oswald Cobblepot (The Penguin).
Kjo nuk ishte hera e parë që ne njihemi me këtë personazh, pasi shfaqet edhe më herët si pjese e “The Batman”, ndërsa Pinguini njihet gjerësisht si antagonisti i Batman, në pothuaj të gjithë filmat e superheroit në forma të ndryshme.
“The Penguin” është një kryevepër absolute dhe padyshim për mua, seriali më i mirë i vitit 2024.
Colin Farrell ofron një performancë ikonike si Oswald Cobblepot, duke shfaqur një personazh kompleks që e bën atë të duket më shumë sesa thjesht një kriminel.
Rhenzy Feliz gjithashtu shkëlqen në rol, duke i sjellë karizëm dhe emocion të papërshkrueshëm rolit të tij.
Që nga skena e parë, Farrell magjeps me një intensitet të lartë që e transformon atë dhe e bën të lundrojë në botën e krimit të Gotham. Farrell e mishëron personazhin aq shkëlqyeshëm sa nuk mund t’i heqësh sytë prej tij, duke balancuar kërcënimin dhe dhembshurinë në një mënyrë që është thjesht magjepsëse.
Subjekti i errët i shfaqjes është perfekt, duke i mbështjellë shikuesit në një botë ku sundojnë pushteti dhe korrupsioni. Çdo skenë është krijuar bukur, plot tension, dhe me një skenar që nuk të lë hapësira bezdisëse në asnjë moment.
Çdo anëtar i kastit, nga Cristin Milioti (pavarësishtperformancave të saj hera-herës të tepruara dhe britmave të panevojshme) deri te ansambli mbështetës, kontribuon në bërjen e këtij seriali një triumf kinematografik. Menyra se si ajo i heq qafe kundërshtarët e saj, do ju lërë pa fjalë!
Ajo që e dallon vërtet “The Penguin” është historia e tij unike, duke ofruar një perspektivë përtej filmave të zakonshëm të Batman. Fakti që Batman nuk shfaqet, as nuk përmendet në dialog, nxjerr në pah se sa i fuqishëm është ky rrëfim më vete. Episodi i fundit është thjesht i pabesueshëm, i mbushur me momente mahnitëse dhe shkëlqim që mund të konkurojë edhe me epikun “Game of Thrones”.
Marrëdhënia e tij me djaloshin Viktor është ndoshta nga më të bukurat që filmi ju ka sjellë ndonjëherë në ekran. Harrojini të gjitha dyshet, sepse per momentin nuk ka tjetër si kjo!
Pamjet vizuale, karakteristike të HBO-së dhe muzika mahnitëse në sfond e ngrenë serialin në përsosmëri. Çdo episod përfundon me një kolonë zanore, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme, dhe skena surreale që me siguri do të jenë një kujtim i bukur për ju.
Në doni të ndjeni sikur jetoni vërtet në Gotham City dhe doni të përjetoni emocionet e një krim-drame të paharrueshme, atëherë shikoni “The Penguin”!