Sport

Një tjetër hap drejt titullit në Formula 1, Piastri: Një garë që shkoi për mrekulli!

Vendi i parë në Holandë i mundësoi Oskar Piastrit të thellojë edhe më shumë distancën në krye të renditjes së kampionatit të Formula 1. Pas garës australiani i MekLarenit e komentoi kështu suksesin:

LEXO EDHE: E papritur nga Italia! Kristian Shpendi i merr vendin Brojës në radhët e Kombëtares?

“Ndjesi e bukur të fitosh këtu. E kam kontrolluar garën kur ka qenë e nevojshme dhe kam shfrytëzuar shpejtësinë tonë kur ka qenë e nevojshme. Kam qenë në kontroll gjatë gjithë kohës. Në fillim dukej si një fundjavë e vështirë, por gjithçka ndryshoi në kualifikuese dhe sot (dje) gjithçka shkoi për mrekulli. Makina e Sigurisë solli pak tension, por gjithçka doli mirë. Pjesa e dytë e sezonit ka nisur në mënyrën më të mirë, por rruga është ende e gjatë”, u shpreh Piastri.

Ndërkohë Lando Norris i zhgënjyer pas daljes me zero pikë, deklaroi: “Kisha një ritëm të mirë dhe menaxhova gomat në mënyrën më të mirë, duke qenë gati për të përfituar nga ndonjë mundësi në fund, nëse do të paraqitej. Kam humbur shumë pikë dhe jo për fajin tim, por janë situata që ndodhin”.

Për australianin Piastri, kjo ishte fitorja e nëntë në karrierë. Në vendin e dytë në Zandvort u ngjit Maks Vershtapen, duke përsëritur rezultatin e sezonit 2024 në këtë pistë. Podiumi u plotësua nga një performancë e jashtëzakonshme e Isak Haxharit, pilot debutues franko-algjerian i ekipit Racing Bulls. I nisur nga vija e dytë e startit, Haxhar zhvilloi një garë të pastër dhe të shkëlqyer, pa asnjë gabim, duke i ngjitur në podium për herë të parë në karrierë.

Ferrari përjetoi një ditë të errët, vetëm një javë para garës në shtëpi në Monza, teksa të dyja makinat SF-25 u tërhoqën nga gara. Sharl Lëklerk u përplas me Andrea Kimi Antonelin në kthesën e tretë në xhiron e 54-të nga 72 gjithsej, vetëm pak sekonda pasi ishte kthyer në pistë pas ndalesës së tij të dytë në bokse. Piloti italian i Mercedesit u penalizua me dhjetë sekonda për shkaktimin e këtij incidenti. Në të njëjtin vend, më herët kishte dalë nga pista edhe Luis Hamilton, në xhiron e 23-të.

Shtatë herë kampioni i botës humbi kontrollin në asfaltin e rrëshqitshëm nga shiu dhe u përplas me barrierat në anën e jashtme të pistës. Në të dyja rastet ndërhyri makina e sigurisë, e cila u fut gjithashtu edhe pas tërheqjes së Norrisit në fund të garës. Xhorxh Rasëll dhe Aleksandër Albon kompletuan pesëshen e parë. Oliver Bearman përfundoi i gjashti, përpara dy makinave Aston Martin të Lans Strollit dhe Fernando Alonsos, ndërsa Andrea Kimi Antoneli, pas penalizimit, u rendit vetëm në vendin e gjashtëmbëdhjetë.

Për sa i përket klasifikimit të pilotëve, Oskar Piastri i forcon edhe më shumë pozitat në krye, duke shkuar tashmë në kuotën e 309 pikëve. Shoku i tij i skuadrës, Lando Norris, humbet terren, teksa mbetet me 275 pikë në vendin e dytë. Pas dyshes së MekLarenit vjen Maks Vershtapen i Red Bullit, me 205 pikë. Këtë fundjavë Formula 1 do të zhvendoset në Monza për një nga garat klasike të kampionatit.