Pas pushimit veror, Maks Vershtapen e pranon se ky sezon nuk po shkon sipas pritshmërive. Piloti holandez i Red Bull e sheh veten 97 pikë larg liderit Oskar Piastri dhe me shumë pak gjasa për të luftuar për titullin botëror.
E megjithatë, nuk mungon motivimi për të shfrytëzuar çdo fundjavë gare për të rikuperuar ndjesi dhe besim te RB21 – një makinë që sipas tij ka qenë në rënie që nga fillimi i vitit 2025. “Duhet të bëjmë më të mirën dhe të shohim nëse kemi mundësi në garat e mbetura. Edhe pse viti tjetër do të jetë krejt ndryshe, duhet të gjejmë performancë në këtë makinë”, tha Vershtapen.
I pyetur nëse ende ka ndonjë pritshmëri për kampionatin, përgjigja e Vershtapen ishte e qartë: “Jo, realisht”.
Një nga zërat që ka qarkulluar së fundmi është mundësia që Aleks Palu, kampioni i “Indycar”, të bëhet shoku i skuadrës i Vershtapenit vitin tjetër. Holandezi e njeh mirë spanjollin që nga garat karting dhe e vlerëson shumë, por nuk pranon të bjerë në grackën e spekulimeve. “Ajo që po bën në ‘Indycar’ është mbresëlënëse. Por nuk e di nëse do t’ia dilte në F1, ashtu siç nuk e di as për veten time në ‘Indycar’. Këto janë gjëra që nuk vlejnë të diskutohen”, u shpreh i prerë Vershtapen.
LEXO EDHE: Përfitoni nga uljet ekskluzive të DigitAlb deri më 31 gusht!
Me tre fitore dhe një vend të dytë në pistën e Zandvort, Vershtapen ka një lidhje të veçantë me garën në vendlindje. Por kujton se viti i kaluar i dha një paralajmërim të hidhur: humbjen kundër Lando Norrisit me 22 sekonda diferencë. “Shpresoj të jemi më afër këtë herë, edhe pse pista nuk na përshtatet shumë. Shiu mund të sjellë kaos dhe kjo është gjithmonë interesante”, shprehet piloti holandez. Sipas tij, Red Bulli aktual favorizohet në pista me kthesa të shpejta. “Në ato me kthesa të ngadalta dhe të mesme e kemi më të vështirë” shtoi kampioni në fuqi i botës.
Vershtapen nuk e fsheh kënaqësinë për rikthimin e Serxho Perezit me ekipin e ri të Kadillak në Formula 1: “I dërgova menjëherë një mesazh kur pashë lajmin. Jam shumë i lumtur për të. Ka shumë përvojë, ka garuar për shumë ekipe dhe e di si funksionojnë skuadrat. Do të jetë interesante ta shohim në këtë aventurë të re”.
Edhe pse jashtë garës për titull, Vershtapen mbetet i përqendruar. Për të, situata aktuale nuk është aspak dëshpëruese: “Kur ke fituar kampionate, e di që do të vijë edhe një moment ku nuk do të jesh më në krye. Ai moment ka ardhur. Por nuk më frustron. Thjesht dua të përmirësohemi”.
I pyetur për garat e tensionuara me Luis Hamiltonin gjatë sezonit 2021, Vershtapen shmang komentet: “Për mua, as që mbaj mend. Nuk kam çfarë të them”