Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Uber dhe drone delivery?
Uber po provon përsëri drone delivery. Po, njëlloj si në filmat futuristikë, por këtë herë jo për aksesorë high-tech – por për picat dhe hamburgerat që porosit ti. Kompania ka bërë partneritet me startup-in e Izraelit Flytrex, i cili ka mbi 200 mijë shpërndarje me drone vetëm në Amerikë. Testet do nisin në disa qytete Amerikane deri në fund të këtij viti, dhe Uber ka bërë edhe një investim të vogël tek Flytrex, ndonëse nuk është bërë publike shuma.
Ky rikthim nuk është rastësor. Uber prej kohësh po rikthehet tek teknologjitë që dikur i zhvillonte vetë…. si psh makinat vetë-drejtuese. Në fakt, Uber pati testuar drone delivery që në vitin 2019, por e ndali për shkak të rregullave të forta dhe më vonë ia shiti departamentin kompanisë Joby. Tani, me ligje pak më të hapura për dronët dhe me kompani si Zipline që po bëjnë shpërndarje çdo ditë, Uber ka vendosur t’i japë edhe një shans.
Në teori tingëllon fantastike: porosit një hamburger, dhe pas pak minuta dëgjon bzzzzt – dhe ushqimi të zbret nga qielli. Praktikisht, tek ne në Shqipëri kjo do ishte një tjetër histori: imagjino të porositësh sufllaqe në Tiranë dhe droni të ngecë mes telave të dritave.
Gjithsesi, për Uber kjo është një lëvizje serioze. Nëse funksionon në Amerikë, nuk është larg dita kur do shohim qiellin e mbushur me drone që shpërndajnë më shumë ushqim se zogjtë.