Bota

Njoftim qytetarëve të Kosovës për evakuim të mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe!

Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dabi njoftoi të gjithë qytetarët: vizitorë dhe rezidentë, se me autoritetet lokale, institucionet shtetërore në Kosovë e Ambasadën në Riad, po koordinon për të siguruar një evakuim të shpejtë e të sigurt, në rast bllokade së hapësirës ajrore.

Përballë sulmeve amerikano-izraelite, Republika Islamike po godet vendet fqinje që kanë baza amerikane në territoret e tyre. Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe iraniane vlerësoi se numri i viktimave në këtë vend është mbi 500, ndërsa dhjetëra të tjerë janë vrarë në kundërgoditjet e Iranit në rajon.

Izraeli zgjeron praninë ushtarake në jug të Libanit

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kanë dërguar trupa më thellë në jug të Libanit, përtej pesë pozicioneve të mëparshme.

Ushtarë nga Divizioni Rajonal i 91-të “Galilea” janë vendosur në pika të shumta pranë kufirit, për të forcuar sigurinë në veri të Izraelit.

Ushtria po kryen sulme të shënjestruara ndaj infrastrukturës së Hezbollahut, për të neutralizuar kërcënimet dhe parandaluar infiltrimin në territorin izraelit.

Zgjerimi i pranisë ushtarake vjen pas sulmeve me raketa dhe dronë nga Hezbollahu në drejtim të veriut të Izraelit.

Këto sulme filluan dje, si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Ushtria izraelite tha se:

Masat synojnë të ofrojnë një shtresë shtesë sigurie për banorët e veriut të Izraelit.

Çmimet e gazit natyror në Evropë vazhdojnë të rriten

Çmimet e gazit natyror vazhdojnë të rriten ndjeshëm, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet. Sipas raportimeve të publikuara sot, çmimi referencë i gazit në Evropë është rritur me 33%.

Kjo lëvizje vjen pas një rritjeje tjetër prej rreth 50%, një ditë më parë. Po dje, kompania qeveritare e QatarEnergy e Katarit, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit në botë, ndaloi prodhimin pas “sulmeve ushtarake” ndaj objekteve të saj.