Bota

Njohja e Palestinës shtet, Kanadaja në radhë pas Francës e Britanisë së Madhe!

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha se vendi do ta njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë i treti i grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që jep një njoftim të tillë ditët e fundit. Carney u shpreh se marrja e këtij vendimi do të varet nga reformat, përfshirë zotimin e Autoritetit Palestinez që të mbajë zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrjen e Hamasit, grupit radikal të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Deklaratat vijnë pasi Mbretëria e Bashkuar deklaroi se do ta njohë shtetin palestinez në shtator. Përjashtim ka nëse Izraeli bie dakord për armëpushim e kushte të tjera. Një javë më parë, edhe Franca prezantoi një plan të ngjashëm.

Ministria e Jashtme e Izraelit e kundërshtoi njoftimin e Kanadasë, duke e quajtur “shpërblim për Hamasin”. Nga 193 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, shtetin palestinez e njohin zyrtarisht 147. Carney vuri në dukje se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka përmendur zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, përkeqësimin e situatës së sigurisë në Gaza, si dhe sulmin e 7 tetorit 2023 të Hamasit kundër Izraelit, si arsye të ndryshimit të fortë të politikës së jashtme kanadeze.

Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gazë është i patolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi, vuri në dukje Carney para gazetarëve. Njohja e shtetësisë palestineze do të bëhet bashkë me përkushtimet e palës tjetër që të reformohet e të çmilitarizojë territorin.

Carney bisedoi me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, lidhur me vendimin e marrë. Autoriteti palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor përmes partisë Fatah, të udhëhequr nga Abbasi dhe Gazën e ka udhëhequr Hamasi. Asnjë prej këtyre territoreve nuk ka mbajtur zgjedhje prej vitit 2006.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gaza në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 vetë, si dhe u morën peng rreth 240 të tjerë. Referuar autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59 mijë palestinezë janë vrarë në Gazë që atëherë.

Pjesa më e madhe e Gazës është shndërruar në gërmadhë. Agjencia e OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) ka vënë në dukje se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës është i kequshqyer dhe numri i rasteve po rritet çdo ditë. Mbi 100 organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe grupe për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar për uri masive në Rripin e Gazës, duke iu bërë presion qeverive në botë që të veprojnë.

Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në Gazë, përsërit se nuk ka rrethim dhe fajëson Hamasin për çdo rast të kequshqyerjes.