Bashkëshorti i muzikantit legjendar Elton John, David Furnish, ka folur së fundmi për gjendjen shëndetësore të artistit, duke theksuar se periudha e fundit ka qenë sfiduese për të.
Këngëtari britanik pësoi një infeksion të rëndë në sy në korrik të vitit 2024, i cili e la pothuajse plotësisht të verbër në syrin e djathtë, ndërsa shikimi në syrin e majtë u dëmtua ndjeshëm.
Në një intervistë për “Variety”, Furnish tregoi se, pavarësisht vështirësive, Elton po përpiqet të ecë përpara dhe të përqendrohet te familja.
Ai është i shkëlqyer. Nuk është e lehtë për të, por ai po lufton dhe po ecën përpara. Është i lumtur që është në shtëpi me familjen dhe djemtë tanë
-tha ai.
Sipas tij, artisti tashmë kalon pjesën më të madhe të kohës në shtëpi me familjen, duke u fokusuar tek bashkëshorti dhe dy djemtë e tyre, Zachary Furnish-John dhe Elijah Furnish-John.
Furnish shtoi se pikërisht për këtë arsye këngëtari i ka dhënë fund turneve të tij dhe po i kushton më shumë kohë jetës familjare.
Vetë Elton John ka pranuar më herët se viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për shkak të problemeve me shikimin.
Më goditi rëndë. Humba shikimin në syrin e djathtë dhe as i majti nuk është në gjendje të mirë, kështu që 15 muajt e fundit kanë qenë shumë të vështirë për mua sepse nuk shihja pothuajse asgjë dhe nuk mund të lexoja
-është shprehur ai.
Megjithatë, këngëtari mbetet optimist dhe shpreson se në të ardhmen mjekësia do të mund të gjejë një zgjidhje për problemet e tij.
Kam pasur një jetë të jashtëzakonshme dhe ende shpresoj që një ditë do të gjendet një zgjidhje. Thjesht duhet të jem i duruar
-tha ai.
Pavarësisht sfidave shëndetësore që ka kaluar ndër vite, Elton John vazhdon të mbetet një nga ikonat më të mëdha të muzikës botërore dhe një figurë që frymëzon miliona fansa në mbarë botën.