Elton John ka dhënë një dëshmi të fortë emocionale në Gjykatën e Lartë në Londër, ku deklaroi se ishte “jashtëzakonisht i zemëruar” kur mësoi për akuzat se telefonat e tij fiks ishin përgjuar nga tabloidi britanik Daily Mail.
Këngëtari legjendar theksoi se veprimet e pretenduara të gazetës shkojnë përtej çdo standardi të pranueshëm të mirësjelljes dhe respektit njerëzor.
Ai ka ngritur padi ndaj Associated Newspapers, botuesit të Daily Mail, së bashku me bashkëshortin e tij David Furnish, Princin Harry, aktoren Elizabeth Hurley dhe katër persona të tjerë, duke i akuzuar për shkelje të rënda të privatësisë.
Nga ana e saj, Associated Newspapers i ka mohuar kategorikisht akuzat për përgjime telefonike apo praktika të paligjshme, duke deklaruar se artikujt e botuar bazohen vetëm në informacione publike ose të siguruara përmes burimeve legjitime, përfshirë rrjete shoqërore të personazheve të famshëm.
Elton John, i cili u paraqit në seancë përmes videos, tregoi se u informua për këto parregullsi vetëm pasi shoqja e tij e ngushtë, Elizabeth Hurley, ia bëri të ditur.
Sipas tij, Hurley ishte njoftuar nga një hetues privat se telefonat e këngëtarit ishin përgjuar në një periudhë kur ajo po qëndronte në shtëpinë e tij, menjëherë pas lindjes së djalit të saj.
Megjithatë, dëshmia e hetuesit privat është kthyer në një nga pikat më të debatueshme të çështjes, pasi ai më vonë e ka tërhequr deklaratën e dhënë dhe ka ngritur pikëpyetje mbi saktësinë e saj.
Kur e kuptuam seriozitetin e asaj që kishte ndodhur, u ndjemë thellësisht të indinjuar
-u shpreh Elton John, duke shtuar se ndjesia e shkeljes së privatësisë ishte tronditëse për të dhe njerëzit e tij më të afërt.
Çështja mbetet ende në shqyrtim nga gjykata dhe pritet të hedhë dritë mbi praktikat e mediave britanike dhe kufijtë mes interesit publik dhe jetës private të personazheve të njohur.