Bota

Nuk hyn në Uashington pa lejen e gjykatës/Rasti i Stewart Rhodes, i falur nga Trump!

Një gjykatës federal vendosi ditën e sotme që themeluesit të organizatës “Oath Keepers”, Stewart Rhodes, t’i ndalohet të hyjë në Uashington pa lejen e gjykatës. Kjo pasi Presidenti Donald Trump ia uli dënimin me 18 vjet burg udhëheqësit të grupit, i cili mori pjesë në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.

Gjykatësi federal Amit Mehta, i cili mbikëqyri gjyqin ndaj Rhodes-it, si dhe anëtarëve të tjerë të organizatës së tij, lëshoi urdhrin dy ditë pasi Rhodes vizitoi Kapitolin, ku u takua me të paktën një ligjvënës, bisedoi me të tjerët dhe mbrojti veprimet e tij të 6 janarit 2021, mbi 4 vjet më parë.

Urdhri i gjykatësit Mehta vlen për shtatë të pandehur të tjerë të cilët u përballën me akuzat më serioze për sulmin ndaj Kapitolit, të ngritura nga Departamenti i Drejtësisë. Urdhri gjithashtu ua ndalon atyre hyrjen në ndërtesën e Kapitolit apo në mjediset përreth, pa lejen e gjykatës.

Stewart Rhodes nga qyteti i Granburit në Teksas, u lirua nga burgu disa orë pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv nga Presidenti Trump të hënën vonë për të falur më shumë se 1 mijë e 500 persona të akuzuar për sulmin ndaj Kapitolit e që kishte për synim të pengonte certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ndërsa presidenti Trump fali shumicën e të pandehurve, ai uli dënimet me burg për Rhodes-in dhe 13 persona të tjerë. Kjo do të thotë se ata mbeten në lirim me kusht dhe duhet të respektojnë disa kufizime të vendosura nga gjykata nën mbikëqyrjen e një oficeri të policisë.

Stewart Rhodes nuk hyri në Kapitol më 6 janar, por u akuzua për orkestrimin e një komploti javor për të ndalur me forcë transferimin e pushtetit te Biden. Ai u dënua për komplot për rebelim në vitin 2022 dhe mori një nga dënimet më të rënda në procesin masiv të nisur nga Departamenti i Drejtësisë.

Stewart Rhodes e zhvilloi vizitën në Kapitol në fillim të kësaj jave dhe vuri në dukje se tani, ai po i kërkon Presidentit Donald Trump një falje të plotë.