Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot dështuan për të 23-ën herë radhazi të konstituojnë përbërjen e 9-të parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Dështimi e ka zhytur vendin në ngërç politik duke e lënë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve. Sot, ligjvënësit refuzuan për të trembëdhjetën herë rresht të formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Nga opozita, u dërgua në Kushtetuese çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari. Kjo pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Ato thonë se nuk është kushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë e të marrë një vendim”.
Seanca do të vazhdojë të shtunën e 31 majit. Deri tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja tha se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër krahas saj.
Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani deklaroi se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re. Kjo krizë vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë të marrëveshjes mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.