Sport

Nuk ka stadium për të në kryeqytet, Tirana “emigron” për ndeshjen delikate ndaj Laçit…

Klubi i Tiranës do të jetë i detyruar të luajë jashtë kryeqytetit ndeshjen e radhës në kampionat, një sfidë shumë delikate për vazhdimësinë e këtij sezoni për bardheblutë. Nën drejtimin e Erbim Fagut, ata kërkojnë t’u kthehen sukseseve, teksa përballë kanë një ekip si Laçi, i cili kërkon të futet edhe ai në garë për “Final Four”. Bardheblutë nuk do të kenë mundësinë të luajnë në kryeqytet këtë sfidë, edhe pse janë pritës. Kjo për arsye se fusha e stadiumit “Selman Stërmasi” është në gjendje shumë të rënduar, ndërsa stadiumi ”Air Albania” është në dispozicion të Kombëtares së femrave U17 që po luan në një turne të UEFA-s. Ndaj Tirana është detyruar që të “emigrojë” në Elbasan për këtë sfidë, duke luajtur atje si pritëse ndeshjen e radhës të saj. Takimi është planifikuar të luhet të hënën në orën 17:00.

Rikujtojmë se javën e kaluar, presidenti i Tiranës, Refik Halili, foli menjëherë pas humbjes në derbi ndaj Partizanit, me rezultatin 2-1. Në prononcimin e dhënë për gazetarët, numri 1 i bardhebluve u shpreh: “Unë vazhdoj të kem besim te skuadra. Besoj se e pamë të gjithë, ne pësuam gol nga një episod. Derbi është derbi kaq luhet, për një gol luhet. Duhet të shikojmë rastet e krijuara dhe të humbura, sot ato ishin kundër nesh. Ne do vazhdojmë rrugën që kemi nisur, pavarësisht se kemi pësuar shumë gola. Shpresojmë që nga java në javë ta sistemojmë këtë gjë. Këtë javë do fillojë ndryshimi nga porta. Duhet të bëhet një farë ndryshimi, shpresojmë të na kthehet dhe portieri Selmani. Do kemi më shumë siguri në mbrojtje. Portierët e rinj janë e ardhmja jonë, në të ardhmen shpresojmë të bëjnë më mirë. Skuadra ka goxha brumë brenda. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën në vazhdimësi. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe kampionati shqiptar. Në javët e ardhshme 100 % do të kemi ndryshime dhe do të ecim përparpara. Nuk po flas për formulën, është diçka që është bërë, shikojmë çdo bëhet në të ardhmen. Do të jemi 100 % pjesë e katërshes”, u shpreh Halili.